Flash News

E-TJERA

Berisha ‘non grata’, Kadilli: I bindur që do e shmangë PD nga përfshirja e kësaj çështje

Berisha ‘non grata’, Kadilli: I bindur që do e shmangë PD

Anëtari i Kryesisë, kandidat për kryetar të Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli ka komentuar vendimin e DASH që shpalli “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Në një postim në rrjetet sociale, Kadilli shkruan se Berisha i ka të gjitha mundësitë ta sqarojë këtë çështje privatisht.

Lajmi i shpalljes së z. Berisha person non grata nga Sekretari i Shtetit, ka provokuar shumë emocione, sidomos mes mbështetësve dhe atyre që kanë rrugëtuar në politikë krah tij.

Në 30 vjetorin e vendosjes se marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë. Kujtoj ende imazhet e drejtuesve demokratë Berisha dhe Pashko, si të ftuar specialë të këtij momenti historik.

Sot, në një situate krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çështje privatisht.

Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë.

Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i kompromentojë në asnjë rast marrëdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë”, shkruan Kadilli.

 

Të fundit