Flash News

E-TJERA

Berisha "non-grata", Kim paralajmëron Bashën: Do ishte ironike që PD të hante bar për hir të një deputeti

Berisha "non-grata", Kim paralajmëron Bashën: Do ishte

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim dha një prononcim për gazetarët nga selia blu pas takimit me kryedemokratin Lulzim Basha.

Kim u shpreh se do të ishte ironike që PD të hante bar për hir të një deputeti, duke lënë të nënkuptuar që kjo deklarate i referohej rastit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit është shpallur person "non-grata" në SHBA.

Ajo ka kërkuar bashkëpunim mes partive, teksa ka theksuar rolin e PD në nxjerrjen e vendit nga diktatura.

"PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi. Do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj.

Në fakt shpresa jonë është që partitë të vazhdojnë përpara dhe bashkëpunimi ynë të shkojë përpara. Për këtë arsye ka vendime të vështira për të gjithë, shpresoj që njerëzit të kenë mundësi të çlodhen në muajin gusht dhe të kthehen të freskët dhe të përtërirë për ato që ka e ardhmja”, deklaroi ajo.

Kryediplomatja amerikane foli edhe për rikthimin e opozitës në Parlament, duke evidentuar edhe shqetësimet e PD për zgjedhjet e 25 prillit.

Ajo tha se teksa PD do të rikthehet në Kuvend, PS duhet të ngrihet mbi interesat e saj partiake. Kim nënvizoi përgjegjësinë e krerëve të partive për përzgjedhjen e deputetëve.

“Është i rëndësishëm fakti që roli i PD ka qenë i pazëvendësueshëm dhe që PD do të kthehet në Kuvend në shtator. Kuptojmë që partia dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, por që gjithashtu këto shqetësime janë pasqyruar në raportin e OSBE-ODIHR.

Ndërsa PD do të rikthehet në Kuvend është e rëndësishme që PS të mund të ngrihet mbi interesat e saj partiake. Dua të nënvizoj dhe njëherë përgjegjësinë që ndërsa krerët e partive do të futen në Kuvend të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë besimin e Shqipërisë", u shpreh Kim.

Takimi mes kësaj të fundit dhe kryedemokratit zgjati më shumë se një orë dhe ishte i pari pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Të fundit