Flash News

E-TJERA

Bllokohet tërësisht qarkullimi në aksin Librazhd–Prrenjas, rrezikohet shembja e urës

Bllokohet tërësisht qarkullimi në aksin Librazhd–Prrenjas,

Situata e krijuar nga rrëshqitja dhe fundosja e rrugës në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, në zonën e Dragostunjës, përgjatë aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, ka marrë përmasa alarmante.

Autoritetet rrugore kanë njoftuar se segmenti problematik do të qëndrojë i bllokuar për një afat të pacaktuar.

Ura në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” rrezikon seriozisht shembjen teksa poshtë saj betoni po thërrmohet.

Burime zyrtare bëjnë me dije se fillimisht do të ndërmerret një zgjidhje provizore për stabilizimin e situatës, ndërkohë që paralelisht do të kryhet një studim i plotë gjeologjik i trupit ekzistues të rrugës, me qëllim përcaktimin e ndërhyrjes afatgjatë.

Ndërkohë, pasojat në qarkullim janë të menjëhershme. Autokolona e autobusëve me kapacitet 40 vende ka arritur deri në 2–3 kilometra, si në hyrje të Librazhd, ashtu edhe në zonën e Hotolishtit, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme për udhëtarët.

Situata ka krijuar tension dhe pakënaqësi mes qytetarëve që përdorin këtë rrugë si lidhje kryesore drejt lindjes së vendit.

Në pritje të një vendimmarrjeje zyrtare për ndërhyrjen afatgjatë, qarkullimi në aksin Librazhd–Prrenjas mbetet i bllokuar, ndërsa rreziku i shembjes së urës e rëndon edhe më shumë panoramën e krizës infrastrukturore në këtë zonë.

Të fundit