Flash News

E-TJERA

Deklarata e përbashkët e SHBA dhe BE: Avancimi i Shqipërisë dhe MV në BE, çelësi i qëndrueshmërisë në Evropë

Deklarata e përbashkët e SHBA dhe BE: Avancimi i Shqipërisë

Avancimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE është çelësi për forcimin e kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit evropian.

Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të zyrtarëve të lartë perëndimorë, Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell.

Zyrtarët e lartë pranojnë se agresioni rus në Ukrainë ka rritur rëndësinë e zgjerimit të bllokut.

Kujtojmë që presioni ndërkombëtar për çeljen e negociatave për vendin tonë dhe MV është rritur pas luftës në Ukrainë dhe rrezikut për destabilitet në Ballkan. SHBA dhe BE thonë se të dyja vendet janë gati të ndërmarrin hapin tjetër drejt anëtarësimit.

“Në këtë moment kritik të historisë evropiane, i shënuar nga agresioni i pajustifikueshëm i kryer nga Rusia kundër Ukrainës, avancimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE është çelësi për forcimin e kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit evropian”, thuhet në deklaratë.

Më tej nënvizohet se BE dhe SHBA mirëpresin një propozim kompromisi që merr parasysh interesat dhe shqetësimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë “bazuar në respektin, besimin dhe mirëkuptimin reciprok”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thonë janë të përkushtuara për bashkëpunim më të ngushtë në Ballkanin Perëndimor.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për bashkëpunim më të ngushtë në Ballkanin Perëndimor. Sigurimi i stabilitetit dhe prosperitetit dhe realizimi i së ardhmes së tyre evropiane dhe euroatlantike mbetet qëllimi ynë i përbashkët”, thuhet në deklaratë.

Të fundit