Flash News

E-TJERA

Dhuna ndaj gazetarit Hila dhe bashkëshortes, CPJ thirrje për hetime: Autorët të mbajnë përgjegjësi

Dhuna ndaj gazetarit Hila dhe bashkëshortes, CPJ thirrje për hetime:

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të nisin menjëherë hetimet e shpejta dhe të plota për sulmin e fundit ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij, si edhe të garantojnë sigurinë e tyre.

“Autoritetet shqiptare duhet ta marrin shumë seriozisht sulmin e fundit ndaj gazetarit Elvis Hila dhe gruas së tij, të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi”, tha Attila Mong, përfaqësuesi i CPJ për Evropën. “Gazetarët që raportojnë për rastet gjyqësore punojnë në interes të publikut dhe autoritetet duhet të dërgojnë një sinjal të qartë se aktet e dhunës ndaj tyre nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.”

Hila ka thënë për CPJ se bashkë me gruan e tij pësuan mavijosje dhe hematoma për të cilat u trajtuan në urgjencën e spitalit të Lezhës. Gazetari ka denoncuar ngjarjen në polici, e cila ka nisur hetimet dhe ka lëshuar urdhra arresti për dy burra, 35 dhe 32 vjeç, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.

Më 25 janar, një person i paidentifikuar telefonoi Hilën, reporter i Report TV dhe uebsajtit të lajmeve Shqiptarja, dhe e ofendoi në lidhje me mbulimin e fundit të një burri të dënuar me burg për falsifikim të dokumenteve gjyqësore, për të cilin telefonuesi tha se ishte i afërmi i tij.

Rreth një orë më vonë, Hila mori një tjetër telefonatë nga një burrë që nuk e identifikoi veten dhe tha se mund të jepte informacione për rastin. Kur gazetari dhe gruaja e tij mbërritën për të takuar atë burrë në qytetin e Lezhës, dy burra i sulmuan të dy.

Ata iu afruan makinës së tyre dhe insistuan që Hila të dilte nga automjeti për të shpjeguar mbulimin e rastit.

Hila nuk pranoi dhe burrat u përpoqën të hapnin derën. Gruaja e gazetarit më pas doli nga makina dhe u përpoq t'i largonte burrat duke thirrur policinë, dhe njëri prej burrave e goditi me grusht në qafë dhe tentoi t'i vidhte telefonin.

Autorët më pas goditën me shkelma derën e makinës dhe e goditën Hilën përmes xhamit të hapur të makinës derisa gazetari dhe gruaja e tij mundën të largoheshin me makinë nga vendi i ngjarjes.

Hila tha se nuk kishte marrë asnjë lajm për arrestimin e të dyshuarve deri më 30 janar. CPJ i dërgoi email prokurorisë së Lezhës për koment, por nuk mori asnjë përgjigje.

Të fundit