Flash News

E-TJERA

U shkarkua sot, karriera ‘jetëshkurtër’ e Gledis Nanos në krye të Policisë së Shtetit

U shkarkua sot, karriera ‘jetëshkurtër’ e Gledis Nanos

Qeveria vendosi të shkarkojë sot Drejtorin e Përgjithshëm e Policisë së Shtetit Gledis Nano. I emëruar më 7 Tetor 2021, karriera e Nanos si kreu i policisë zgjati thuajse një vit.

Nano mori postin e Drejtorit të Përgjithshëm pas dorëheqjes së Ardi Veliut. Në fjalimin e parë si drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano parashtroi pikat kyçe ku ai do të përqëndrohej për të përmirësuar dhe vijuar me punën në Policinë e Shtetit, si dhe për të rritur bashkëpunimin me qytetarët e vendit.

Gledis Nano mbante më parë detyrën e kreut të Antiterrorit ku ka spikatur me eksperiencën e tij, për të cilën ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim i dhuroi në gusht të vitit 2021 një certifikatë për bashkëpunimin me amerikanët dhe ushtrimin e profesionit të tij.

Nano e ushtroi detyrën e kreut të Antiterrorit për një periudhë 5-vjeçare, ku pati rastin të ndeshet me dosje delikate si  rasti i dëbimit të diplomatëve iranianë dhe rusë nga Shqipëria, apo identifikimi dhe gjurmimi i celulave shqiptare terroriste.

Në vitin 2013 Gledis Nano u mor me hetimin e dosjes së famshme të “Imamëve”. Në vitin 2017 Nano u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico Virginia. Nano e ka nisur karrierën e tij në Policinë e Korçës, më pas ka drejtuar sektorin e Krimeve në Policinë e Vlorës, për tu emëruar më vonë në Tiranë.

Gledis Nano mbante gradën “drejtues i parë” dhe pas emërimit në krye të Policisë së Shtetit mori gradën “drejtues madhor”.

Kujtojmë se me ngjarjen e rëndë të ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku ish-efektivi Arjan Tase përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdia, qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Bashkë me të kërkuan edhe largimin e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Të fundit