Flash News

E-TJERA

Dioqeza e Rrëshenit: Ndarja nga jeta e imzot Simon Kullit, një plagë për gjithë komunitetin

Dioqeza e Rrëshenit: Ndarja nga jeta e imzot Simon Kullit, një

Dioqeza e Rrëshenit ka reaguar pas ndarjes së papritur nga jeta të ipeshkvit të dioqezës së Sapës dhe Vaut të Dejës, imzot Simon Kulli, i cili u shua në moshën 52-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, dioqeza përshkruan imzot Kullin si një ipeshkëv të përkushtuar ndaj besimtarëve, veçanërisht ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe personave me aftësi ndryshe.  

Postimi i plotë:
Sot herët në mëngjes, imzot Simon Kulli, ipeshkëv i dioqezës së Sapës dhe zëvendëspresident i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ka kaluar në amshim, krejt papritur e pa rend, në moshën 52-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Një goditje që na goditi të gjithëve sot dhe na i pikëlloi zemrat.

Të gjithë ata që kanë pasur fatin ta njihnin imzot Simonin e mirë, e dinë sa i dashur ka qenë ai, sa i qetë, sa i matur, sa i butë, sa i urtë. Aq sa të paqtonte vetëm me praninë e tij, ashtu në heshtje, pa shumë fjalë, por me sytë që i qeshnin bashkë me buzët.

Imzot Simoni ka qenë një meshtar e mandej një ipeshkëv i gatshëm e i gjendshëm përherë, për gjithkënd dhe kishte gjithnjë dëshirën e madhe që të gjente rrugëdalje për çdo problem të mundshëm, për çka edhe mundohej e angazhohej me shpirt. Dashuria, afërsia, respekti e nderimi që kishin e kanë besimtarët e tij për të, është dëshmia më e mirë e të qenit e tij një bari i mrekullueshëm, që e njihte në thellësi grigjën e vet, atë që Zoti ia kishte besuar përkujdesit të tij dhe që Ai nuk e lëshoi asnjëherë, deri në çastet e tij të mbrame.

Çdonjëri nga ne e ka njohur dobësinë e tij për të varfrit, të sëmurët e personat me aftësi ndryshe të dioqezës së Sapës, ndaj të cilëve ishte përherë i afërt e i kujdesshëm. Shërbimi i tij me përvujtni ndaj tyre e bënte ndryshe dhe krejt të veçantë imzot Simonin, e shquante, e diferenconte. Prandaj edhe kemi zgjedhur këtë foto shoqëruese për këto fjalë, që do donim shumë të mos i shkruanim kurrsesi. Por na duhet ta bëjmë dhe po e ruajmë të qeshur, imzot Simonin, të gëzuar, në qendër të asaj që e personifikonte dhe krah ipeshkvit tonë, me të cilin eci përnjimend deri në fund…

Ditën e fundit të jetës së tij, sa e trishtë që kjo ditë ishte jo më larg se dje, imzot Simoni e ka kaluar në dioqezën tonë të Rrëshenit, pikërisht në Rrëshen, me bashkëvëllanë e tij, ipeshkvin tonë, imzot Gjergj Metën, me meshtarë e rregulltare të dioqezave të ndryshme të Shqipërisë, si dhe me të rinj e të reja po nga gjithë Shqipëria, ashtu i qeshur e mik i dashur midis tyre, duke u bërë njësh me ta.

Imzot Gjergjin në veçanti, por edhe ne të gjithëve, na ka prekur e shenjuar kjo rastësi e dhembshme. Dje, imzot Simoni ka shëtitur nëpër rrugët e Rrëshenit krah për krah me imzot Gjergjin; kanë biseduar bashkë; kanë pirë kafen; kanë bashkëkremtuar Meshën e Shenjtë në kuadër të organizimit për të cilin edhe ishin mbledhur; kanë qëndruar bashkë. Imzot Simoni ia ka dhuruar miqësisë ditën e tij të fundit, asaj më të ngushtës: me Krishtin, prej së cilës burojnë edhe të gjitha miqësitë e marrëdhëniet e tjera njerëzore.

Mendojmë se e kujtoni që Papa Françesku i ka emëruar imzot Simonin e imzot Gjergjin si ipeshkvij të dioqezave përkatëse, në të njëjtën ditë. E imzot Simoni ia mbajti dorën ipeshkvit tonë deri në fund, duke mos u larguar prej kësaj jete pa ia lënë atij e ne, kujtimin e vet të gjallë nëpër qytet; pa na e lënë bekimin e tij, sepse megjithëmend e besojmë se ka ardhur e na ka ka bekuar.

Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen e imzot Simonit, për familjen e tij dioqezane të Sapës, si dhe për të gjithë ata që e kanë dashur e i ka dashur. Zoti e pranoftë në Mbretninë e Tij, imzot Simonin, për të cilën ka punuar sipas porosive e mësimeve të Tij dhe na ndihmoftë ne të gjithëve që të gjejmë ngushëllim për humbjen e njeriut tonë të shtrenjtë!

Ju kërkojmë sa më shumë lutje për shpirtin e tij, të dashur miq. 

Të fundit