Flash News

E-TJERA

Dita e 4-t e protestës/ Policia ndryshon strategji, të rinjtë synuan Drejtorinë e Policisë, gaz lotësjellës dhe shoqërime nëpër rrugica

Dita e 4-t e protestës/ Policia ndryshon strategji, të rinjtë
Foto ilustruese nga protesta

Protesta e ditës së katërt për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga efektivi i Policisë së Shtetit, në ndryshim nga të kaluarat, pati më pak përplasje dhe tensione. Kjo pasi policia përdori që në krye të herës strategjinë e shpërndarjes së të rinjëve.

Efektivët kontrollinin çdo të ri, që mund të ishte edhe kalimtar i rastit, ndërsa të dyshuarit i shoqëronin në komisariat.

Protesta nisi me një marshim përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe kishte si synim ndalesën te Drejtoria e Policisë së Tiranës. Të rinjtë hoqën tabelat e sinjalistikës si dhe hodhën koshat e mbeturinave. Në hyrje të rrugës "Myslym Shyr", policia hodhi gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa bllokoi hyrjen në këtë rrugë.

Qytetarët u shpërndanë në rrugica dhe hyrjet e pallatave, gjë e cila e bëri lehtësisht të mundur kapjen nga forcat e policisë dhe më pas shoqërimin e tyre. Rigrupimi i të rinjëve, u shpërnda pa vonesë duke hedhur sërish gaz lotësjellës dhe ujë.

Nga dëshmitë që vinin nga gazetarët e terrenit, ndër të shoqëruarit nga policia kishte edhe të mitur.

Ndërkohë për vrasjen e Klodian Rashës u protestua edhe në qytete të tjera të Shqipërisë si në Durrës, Elbasan, Fier dhe Shkodër mesditën e sotme.

Në Durrës u zhvillua një protestë simbolike, ndërsa në Elbasan pati përplasje dhe të shoqëruar.

Sa i përket Shkodrës, protesta u zhvillua me tensione dhe përplasje.

Protestuesit kërkojnë largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ndryshime në strukturat e saj.

Të fundit