Flash News

E-TJERA

Dom Gjergj Meta: Imzot George Frendo ashtu si unë e njoh

Dom Gjergj Meta: Imzot George Frendo ashtu si unë e njoh

Imzot George Frendo-n, Arqipeshkëvin e 59-të të Arkidioqezës Metropolitane të Tiranë-Durrësit (sipas listës së atyre që dimë), e kam njohur shumë vite më parë, pothuajse menjëherë sapo ka ardhur në Shqipëri, si misionar domenikan nga Malta. Unë asokohe isha seminarist e ai bashkë me të vëllanë, atë Gjon Frendo-n O.P., jetonin në famullinë e shën Mëhillit, në Sukth të Durrësit, pak kilometra nga vendlindja ime. Dikur kishte qenë e njëjta famulli e shna Prenës që e kishte qendrën në Jubë e përfshinte Sukthin dhe Rrushkullin.
Më pas ai kaloi në Durrës në famullinë e re të shën Domenikut që e ndërtoi nga fillimi në lagjen 17, aty ku banorët katolikë ishin në pjesën më të madhe të ardhur nga fshatrat dhe qytetet e veriut, sidomos nga Mirdita.
Ndërkohë që ai ishte Vikar i Përgjithshëm i Imzot Rrok Mirditës, bashkëpunimi im me të ishte i afërt, duke qenë se prej vitit 2002 deri në vitin 2006 unë isha në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, më parë si zv/famullitar e më pas si famullitar.
Për shumë vite, nga 2006-2016, ai shërbeu si Ipeshkëv ndihmës, si famullitar i Katedrales së Shën Palit dhe si Administrator Dioqezan, pas vdekjes së papritur të Mons. Rrok Mirditës me 7 dhjetor 2015. Pas kësaj Papa Françesku e emëroi edhe Arqipeshkëv të Tiranë-Durrësit.
Mons Frendo kishte një doktoraturë në të Drejtë Kanonike dhe një specializim në Teologji. Fliste rrjedhshëm anglisht, italisht dhe shqip, përveç gjuhës së tij amtare. Përgatitja e tij intelektuale ishte e një niveli akademik dhe kjo shihej qartë në homelitë, predikimet dhe konferencat e tij. Përshpirtëria e tij domenikane e ndërthurur me cilësi të larta intelektuale e bënte atë të përshtatshëm për të udhëhequr Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit.
Shpesh bisedat tona, sidomos pasi përfundova specializimin në Romë, vërtiteshin këndshëm rreth temave më delikate që kishin të bënin me Kishën dhe shoqërinë shqiptare. E dëgjoja me vëmendje teksa fliste për Tomë Akuinin dhe Albertin e Madh e sidomos kur orvateshim t'u jepnim një qasje baritore, më afër njerëzve, ligjeve të së Drejtës Kanonike. Si punëtor i palodhur që ishte, ai dha një kontribut të çmuar këto vite, jo vetëm për Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit, por edhe për Kishën në Shqipëri, sidomos në lëmin liturgjik dhe atë juridik. Jo rrallëherë ishte edhe një predikues ushtrimesh shpirtërore dhe një mësues i shpirtit për shumëkënd.
Qasja e tij ndaj realitetit shoqëror dhe politik ishte mjaft profetike, duke e vendosur atë shpesh në situata të forta dhe jo fort komode për politikën, për shkak të fenomeneve korruptive dhe moskujdesit ndaj të varfërve që ai hetonte në shoqërinë shqiptare.
Shumë nga prononcimet e tij ishin të bashkëndara në mënyra të ndryshme ndërmjet nesh e ai nuk ngurronte të ishte i drejtëpërdrejtë në shumë raste, ndonëse gjithmonë e shoqëronte një hije dyshimi se si do të merreshin gjërat që ai thoshte nga publiku.
Rregulltar dhe ishullor, me siguri ai përjetonte një sens komuniteti shumë të fortë prandaj edhe kishte gjithmonë dëshirë të rrethohej nga njerëz, sidomos nga ata të cilët nuk i qaste kush.
Vendimi i marrë prej tij, dhe i mbeshtetur fuqishëm nga ne, që asokohe bashkëpunonim afër me të, për të ndërprerë pritjet e qeveritarëve gjatë festave, nuk ishte kurrsesi një përçmim ndaj politikës, por një mënyrë tjetër për t'iu qasur festimit, sidomos me personat në nevojë. Në fakt ai shpeshherë përsëriste se "politika ndryshon strukturat, kurse feja ndryshon zemrat".
Nëse do të kërkoja një figurë të ngjashme ipeshkëvi jo shqiptar, që ka udhëhequr Arkidioqezën e Durrësit në historinë e saj, do të duhet të shkoja në vitin e largët 1845, te personi i Imzot Raffaele D'Ambrosio-s ofm, italian nga Castellamare di Stabia, i cili i dha një shtysë të madhe reformuese asokohe Arkidioqezës së Durrësit me zellin e tij apostolik deri në vitin 1890 kur u largua nga Shqipëria.
Me Sinodin Dioqezan dhe me nisma të tjera të shumta Imzot Frendo e çoi një hap përpara punën e bërë në 22 vite nga paraardhësi i tij, Imzot Rrok Mirdita.
Këto ditët e fundit, kur tashmë vepra e tij po kurorëzohej me pasardhësin e tij, Imzot Arjan Dodaj, shumë njerëz kanë shkruar dhe kanë shprehur vlerësimin e tyre për afërsinë shpirtërore dhe materiale që Imzot Frendo ka shfaqur ndaj një morie të madhe njerëzish, sidomos ndaj më të varfërve.
Personalisht falenderoj Zotin që e kam njohur, atëherë kur isha meshtar dhe këto kohë që jam ipeshkëv i Rrëshenit, i shuguruar prej tij, dhe falenderoj Imzot Frendo-n që në shumë momente ka qenë për mua një mik dhe atë. Zoti na dhashtë gjithmonë barinj sipas Zemrës së Krishtit e me siguri Imzot Frendo ka zënë një vend të rëndësishëm në historinë e Kishës në Shqipëri. Tani që ka mbërritur në Maltën e tij, ashtu sikurse Imzot D'Ambrosio, që i mbylli ditët e tij në Isola del Deserto në një kuvend fretërisht në Venecia, ai ka kohën të shijojë vitet që do t'i japë Zoti, duke medituar për jetën e tij e duke u lutur për ne e po ashtu edhe ne për të.
Vazhdim të mbarë George!
+ dom Gjergji

Të fundit