Flash News

E-TJERA

Dorëheqja e Zoran Zaevit, "goditje" për "Open Balkan"?

Dorëheqja e Zoran Zaevit, "goditje" për "Open

Dorëheqja e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev pritet të sjellë zhvillime sa i përket nismës "Open Balkan". Këtë javë, në Beograd do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të kësaj nisme.

Zaev u shpreh se partia që ai drejtonte LSDM-ja duhet të ruante shumicën qeverisëse, duke mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat po kërkohen nga opozita. Këtë deklaratë ai e dha kur njoftoi dorëheqjen.

Në një dalje publike pas zgjedhjeve kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, zgjedhjet parlamentare janë shumë afër.

"Maqedonia do të filloj të ëndërrojë. Kjo është dita kur fillojnë ndryshimet. Kjo është fitorja e të gjithë qytetareve. Falënderoj Alternativën, Aleancën për Shqiptarët dhe të majtën, sepse sot hodhëm poshtë të gjitha barrierat. Kjo na tregoi se një opozitë e bashkuar mund të fitojë. Shumë shpejt presim zgjedhje të ardhshme parlamentare”, ka deklaruar Mickoski.

Por cili është qëndrimi i opozitarit për nismën "Open Balkan"? Ai është shprehur kundër, çka do të thotë se nëse mbahen zgjedhje dhe opozita merr pushtetin, kjo iniciativë mund të mos mbështetet.

Mickovski ka deklaruar disa kohë më parë se, “Goma e shpëtimit të Zaevit e quajtur Mini Shengen është vetëm dëshmi se kemi një qeveri të dështuar. Kurse edhe më e pakëndshme është kur do ta shihini kryeministrin e vendit në shoqërimin e Vuçiçit dhe Ramës duke u përpjekur të gjejë të paktën nje projektë në kryeqytet për t’u mburrur se ai ka bërë diçka, ka ndërtuar diçka në katër vitet e kaluara, që faktikisht vlerëson projektet e qeverive të VMRO-DPMNE-së”.

Kujtojmë që Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj nisme. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama thotë se "Open Balkan" ka në thelb atë çka kërkon "Procesi i Berlinit". 

Ai ka kërkuar mbështetjen e BE-së për këtë nismë, ndërsa shprehet se "Open Balkan" forcon bashkëpunimin në rajon dhe nxit zhvillimin e ekonomisë. Qëndrimet e tij kanë nxitur "përplasje" në distancë me liderët politikë të Kosovës.

Planet për krijimin e Open Balkan u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë. Më pas tre liderët, Rama, Aleksandër Vuçiç i Serbisë dhe Zoran Zaev i MV kanë zhvilluar takime të herë pas hershme, ku kanë nënshkruar dhe disa marrëveshja që lidhen me tregtinë.

Të fundit