Flash News

E-TJERA

Dosja “Roshi”, SPAK kërkon pushimin e hetimeve për 6 raste të shpërdorimit të detyrës ndaj ish-kryebashkiakut

Dosja “Roshi”, SPAK kërkon pushimin e hetimeve për 6 raste

Prokuroria e Posaçme  ka kërkuar pushimin e hetimeve për 6 episode të dyshuara të shpërdorimit të detyrës ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Megjithatë, Roshi nuk i shpëton ndjekjes penale, pasi ndaj tij vijojnë hetimet për 5 episode të tjera të ngjashme. Çështja ndodhet aktualisht në fazën e seancës paraprake, ndërsa seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 28 prill.

Hetimet ndaj ish-kryebashkiakut kanë nisur pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, lidhur me parregullsi në procedurat e tenderave gjatë periudhës së drejtimit të Bashkisë së Kavajës.

Sipas raportit të KLSH-së të vitit 2015, Roshi dhe rreth 10 zyrtarë të tjerë dyshohen se kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 33 milionë lekësh, nëpërmjet tenderave për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, ndërtimin e rrugëve dhe mbjelljen e pemëve dekorative.

Në raportin e auditimit për periudhën 2013–2014, janë evidentuar 12 procedura tenderuese, ku në disa raste janë konstatuar shkelje të barazisë në konkurrim, përfshirë skualifikimin e operatorëve me ofertën më të ulët ose vlerësim të padrejtë të ofertave.

Fillimisht, çështja ishte mbyllur nga Prokuroria e Durrësit, por më pas Gjykata e Posaçme urdhëroi rihapjen e hetimeve, duke ia kaluar dosjen SPAK-ut.

 

Të fundit