Flash News

E-TJERA

Draftit i mungon teksti, kontrata për menaxhimin e Butrintit parashikon të hyjë në fuqi pa pasur një ligj

Draftit i mungon teksti, kontrata për menaxhimin e Butrintit parashikon

Mbledhja e Komisionit të Edukimit dhe Medias të martën, kulmoi me një debat teksa diskutohej projektligji “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Deputetja demokrate Ina Zhupa e cilësoi projektligjin në fjalë të fshehtë dhe jo transparente duke deklaruar se ministria nuk ia ka paraqitur Kuvendit projektligjin në fjalë dhe marrëveshjen e plotë mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF për krijimin e Fondacionit të posaçëm për menaxhimin e Butrintit.

“Butrinti po jepet me koncension me marrëveshje sekrete. Unë si deputete relatore e komisionit të Edukimit nuk marr dot marrëveshjen sekrete, që jep Butrintin nuk dihet se kujt,” tha Zhupa në Komision.

Deputetja kërkoi nga kreu i komisionit, Ptero Koçi, të ndërpriste mbledhjen, por ky i fundit refuzoi dhe i dha fjalën ministres. Kjo agravoi situatën ku Zhupa u çua dhe i hoqi mikrofonin Margaritit duke i kërkuar të mos vazhdohet më me rendin e ditës.

Të dyja hodhën akuza ndaj njëra-tjetrës, Zhupa duke e quajtur ministren një “turp” dhe Margariti një “antifemër”.

Përpos, polemikave dhe debateve ministrja pranoi në komision se kontrata për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, ishte mbajtur e fshehtë dhe nuk i është prezantuar Kuvendit, me qëllim ruajtjen e konfidencialitetit.

“Nuk do të doja që të keqinterpretoheshin të gjitha elementët e parashikuar në planin e biznesit në këto komisione, për sa kohë ministria ka të gjithë tagrin dhe detyrimin që të shohë ecurinë e këtij plani dhe të marrë masa nëpërmjet organeve kompetente,” tha ajo.

Drafti i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe AADF-së i ka kaluar Kuvendit, por ajo çka bie në sy është se në fakt në draft nuk paraqitet teksti i ligjit. Në dokument thuhet “Sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji”, por mungon teksti që përshkruan ligjin në fjalë. Megjithëse ligji mungon, ekziston Neni 2 i cili e fut në fuqi ligjin, edhe pa qenë një i tillë.

Draftit i mungon teksti, kontrata për menaxhimin e Butrintit parashikon
Drafti i marrëveshjes i paraqitur në Kuvend

Të fundit