Flash News

E-TJERA

"Duhet konsultim", BE kërkon gjithëpërfshirje për Kodin e ri Penal

"Duhet konsultim", BE kërkon gjithëpërfshirje për

Bashkimi Evropian thekson rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për paketën e projekt-amendamenteve të Kodit të ri Penal duke përfshirë institucionet e drejtësisë, aktorët e sundimit të ligjit dhe shoqërinë civile.

REAGIMI

Në përgjigje të një kërkese zyrtare për informacion nga “Faktoje”, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thotë se, “rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë”.

Për pasojë, zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë, sqaron “rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e sundimit të ligjit, si dhe me shoqërinë civile për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të rezultojë”.

Delegacioni i BE-së thotë se, ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, si rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.

Në të njëjtën kohë, BE-ja sqaron se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe për pasojë ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.

Megjithatë, delegacioni i BE-së nënvizon faktin se, si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria, në periudhën afatshkurtër, inkurajohet “që t’i japë përparësi atyre ndryshimeve legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet e përkohshme të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret)”.

BE-ja gjithashtu shprehet e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.

SPAK

Në të njëjtën ditë, përmes një takimi informal që kryetari i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi me gazetarët, rezultoi se Prokuroria Speciale nuk ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e Kodit të ri Penal. Dumani u shpreh se debati për Kodin fillimisht duhej bërë nëse kishte nevojë për ndërhyrje në Kodin aktual Penal apo për një Kod të ri Penal?!.

Dumani nuk komentoi draftin e ri, sa kohë që, sipas tij, paketa e propozimeve nuk kishte mbërritur ende në SPAK.

Një ditë më parë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsi Çela, tha se institucioni që përfaqëson nuk është thirrur për të dhënë mendim.

Kodi i ri, ideja që në 2020

Në shkurt të vitit 2020, ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi nismën për ndryshimet në Kodin Penal. U përzgjodh një grup pune me në krye Arben Rakipin, ndërsa u tha se do të merreshin propozime edhe nga grupe interesi, si prokuroritë, dhoma e avokatisë, gjyqësori dhe Komiteti i Helsinkit.

Pesë vite më vonë, me thuajse të njëjtat qëndrime, ministri aktual i Drejtësisë Ulsi Manja tha se “Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe se zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por në rrethanat ku jemi është edhe i pashmangshëm”./Faktoje.al

Të fundit