Flash News

E-TJERA

Dështon sërish mbledhja e Lelit me Këshillin: E pranoj haraçin deri kur nuk prek Vlorën

Dështon sërish mbledhja e Lelit me Këshillin: E pranoj

Ka dështuar sërish mbledhja e Këshillit Bashkiak të Vlorës me kryebashkiakun Dritan Leli. Ka qenë vet ky i fundit që ka bërë me dije se mbledhja nuk është realizuar për shkak se anëtarët e Këshillit anulluan mbledhjen. Në këtë mënyrë përplasja mes PS thellohet edhe më tej.

Ai thotë se mbledhja ishte parashikuar të zhvillohej online, siç janë mbajtur edhe ato paraardhëse dhe do të diskutohej për interesat e qytetarëve. Leli shpreh keqardhjen që veprimet e Këshillit Bashkiak po pengojnë zhvillimin e Vlorës dhe ndihmën që duhet të shkonte për qytetarët.

"Më vjen keq që me këngën e kusureve të mia, Këshilli Bashkiak nuk po i përkrah sot fëmijët me probleme sociale të qytetit, që me miratimin e vendimit do të frekuentonin kopshtet dhe çerdhet me të ardhurat e bashkisë, nuk po miraton as ndihmën ekonomike, as listën e familjeve apo individëve që përfitojnë kredi nga të ardhurat e bashkisë dhe as po mbështet projektin e qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen e zonës përreth sahatit, që ka nevojë për angazhimin e të gjithëve, prandaj edhe do të përfshihej sot me urgjencë, për të mos ecur me ritmin e mbajtjes së radhëve!"- shkruan kryebashkiaku në rrjetet sociale.

Ky i fundit thotë se e pranon "haraçin" e veprimeve të Këshillit Bashkiak deri në masën që më prek vetë atë, por jo qytetin. Ai shton se Vlora sapo ka nisur sezonin turistik dhe ka nevojë për promovim dhe jo për ta "sakatuar".

"Po e marrë unë barrën e ndjesës, ndaj të gjithë banorëve të Vlorës që po penalizohen a qoftë edhe vetëm bezdisen, nga radhët tona të ngatërruara që po iu rëndojnë, por e di që deti dhe dielli i Vlorës do ta bëjnë këtë verë të ndritshme, siç kaq gjatë e dëshiruam", shkruan Leli.

Ky i fundit ka kundërshtuar mbledhjet e thirrura nga Këshilli me argumentin se janë në shkelje me masat anti-Covid.

Para zgjedhjeve të 25 prillit ka patur një përplasje të fortë dhe mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Leli, pasi nuk pranoi të ishte pjesë e listave të kandidatëve për deputet në qarkun e Vlorës.

Pas këtij akti, Leli u përjashtu nga Partia Socialiste, edhe pse ai do e përfundojë mandatin e kryebashkiakut deri në korrik të vitit 2023.

Të fundit