Flash News

E-TJERA

‘Eksodi’ i mjekëve në 10 vitet e fundit: 3.800 u larguan drejt BE-së, për Ministrinë ‘e kanë fajin’ gjermanët

‘Eksodi’ i mjekëve në 10 vitet e fundit: 3.800 u larguan

Largimi masiv i mjekëve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Evropian e sidomos në Gjermani, është ngritur si problem vazhdimisht nga organizata dhe raporte, sipas të cilave infermierët dhe mjekët braktisin Shqipërinë për të punuar në një vend të BE-së.

Një ndër shkaqet e shumta të cilët edhe vetë mjekët e kanë konfirmuar është rroga dhe kushtet në Shqipëri. Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë ka nxjerrë shifrat e mjekëve të larguar drejt vendeve të BE-së ku në 10 vitet e fundit numërohen 3.800 mjekë shqiptarë që i janë drejtuar vendeve të bllokut.

Kryetarja e fedreatës, Aurora Meta-Dollenberg tha në një konferencë për mediet, se afro 80% e mjekëve që largohen drejt BE-së janë shqiptarë dhe mes tyre, 1.200 mjekë punojnë në Gjermani.  

“Mos të harrojmë se kjo shifër e të emigruarve mjek shqiptar nuk llogarisim atë që ka ndodhur para 10 viteve të fundit sepse nuk janë rregjistruar në regjistrat e punës të komisionit evropian. Pra, emigrimi masiv edhe pse ka filluar para 10 vjetësh, vazhdon të mbetet një temë aktuale të cilën është detyra jonë që po vijmë nga emigrimi që ta stopojmë këtë në kohë”, tha Dollenberg.

Edhe shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka ngritur po të njëjtin problem. Por teksa flet për ‘eksodin’ e mjekëve shqiptarë, Brataj fokusohet te kushtet që iu garantohen bluzave të bardha çka lë të kuptohet se shkak për largimin e tyre masiv, janë pikërisht kushtet e punës.

“Mungesa në këtë sektor kaq të rëndësishëm, i bëj thirrje politikës që të krijoj kushtet dhe favoret që ky sektor të mbulohen, pasi mjeku i urgjencës duhet të ketë disa avantazhe sepse ky mjek është mjek që e ka të lidhur jetën e vetë me urgjencën e spitalit ose ambulancën. Nuk mund të bëj ndonjë aktivitet privat”, tha Brataj.

Mirëpo, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ka deklaruar të kundërtën disa ditë më parë. Në Komisionin për Çështjet Ligjore, Rakacolli mohoi që mjekët të largohen nga Shqipëria për shkak të kushteve.

Sipas zv.ministres arsyeja që po i shtyn mjekët shqiptarë të largohen nga atdheu, është emigrimi i mjekëve gjermanë nga vendi i tyre. Rakacolli deklaroi se pagat nuk janë arsye për ta që të largohen, pasi edhe kushtet iu janë garantuar.

“Pagat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur. Do të rriten me 40% gjatë mandatit. Sapo u bë rritja më e madhe që është bërë ndonjëherë. Ishte rritja e tretë brenda mandatit. Në Gjermani mjekët nuk shkojnë për shkak të pagës. Mjekët që ikin në Gjermani ikin sepse mjekët gjermanë ikin në Zvicër dhe Amerikën. Në Gjermani shkojnë mjekët por mos harroni që nga 1.3 mjekë për 1 mijë banorë kemi 1.9 mjekë për 1 mijë banorë. Unë nuk ia fus kot se nuk jemi këtë për lojë kungulleshkash. Mjekët këtu kanë kushte. Nuk është vetëm rroga”, deklaroi Rakacolli.

Të fundit