Flash News

E-TJERA

Shqipëria pa një datë për çeljen e bisedimeve, Borrell: Është në horizont. Ç’thotë për rritjen e çmimeve dhe luftën në Ukrainë

Shqipëria pa një datë për çeljen e bisedimeve,

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell takoi sot kryeministrin Edi Rama. Ai foli për integrimin në konferencën e përbashkët për shtyp, ku shprehu angazhimin e tij që drita jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të jepet brenda presidencës francize, por sërish nuk ka një datë.

Sipas tij, çelja e negociatave mbetet në horizont. Borrell theksoi nevojën e Ballkanit Perëndimor, por dhe të vetë BE-së që kjo rajon të anëtarësohet në bllok.

“Unë e di që sot Shqipëria e ka treguar që është një nga partnerët më besnik të BE-së. Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin për rendin e sigurinë në BE. Shqipëria është anëtare e NATO-s, por dhe ofruese e sigurisë.

Ne jetojmë në momente, ku të qënit të bashkuar është më e rëndësishme se kurrë më pare. Është koha e zgjerimit. Ka ardhur koha që të rijetëzohet procesi i zgjerimit dhe Ballkani Perëndimor të integrohet në BE në mënyrë të pakthyeshme.

Shqipëria i ka përmbushur kushtet për çeljen e negociatave. Me zë të fortë e mbështes punën që bëhet për çeljen e negociatave. Nuk është një datë e caktuar, por horizont, koha.

Më besoni kur them se une dhe kolegët e mij jemi të angazhuar për stabilitetin rajonal. Kjo duhet përmbushur brenda presidencën franceze”, tha zyrtari i lartë.

Ai foli edhe për rritjen e çmimeve, ku paralajmëroi pasoja të rënda ekonomike që vijnë nga lufta në Ukrainë. Borrell tha se shtrenjtimi i energjisë, karburanteve dhe produkteve po ndodhin në shumë vende.

“Lufta ka krijuar ndërprerje të mëdha në ekonominë botërore. Është një proces që ka nisur më parë me rritjen e çmimit të energjisë dhe karburantit. Është pasojë e varësisë që kemi ne nga Rusia. Nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë. Është pasojë e luftës, na prekin të gjithë ne. Çmimet e energjisë janë rritur 6-fish. Karburanti është rritur me 20%. Ky fenomen do të ndikojë shumë në vende të varfëra”, u shpreh Borrell.

Ai foli për situatën në Ukrainë, ku vuri theksin te agresioni rus. Borrell tha se BE do të vazhdojë ndihmën ndaj popullit ukrainas.

“Ky është një moment kritik për BE dhe për të gjithë botën. Më shumë se kurrë duhet të takohemi dhe diskutojmë këto çështje. Është e tmerrshme se si udhëheqsja ruse vazhdon të sulmojë Ukrainën dhe qytetarëve të saj.

Forcat ruse po shkaktojnë vdekje dhe dëme të mëdha. Ne me ngulm do vazhdojmë mbështetjen për popullin e Ukrainës. Ka qenë agresion brutal nga Rusia dhe në përgjigje të këtij agresioni ne kemi miratuar sot një paketë të katërt sanksione”, tha Borrell.

 

Të fundit