Flash News

E-TJERA

Elseid Hysaj barazon rekordin e Lorik Canës

Elseid Hysaj barazon rekordin e Lorik Canës

Sfida e sotme ndaj Serbisë në Leskovac nuk ka vetëm peshë të madhe për fatin e Shqipërisë në Grupin K, por edhe një domethënie të veçantë personale për Elseid Hysajn.

Mbrojtësi kuqezi është gati të shkruajë historinë, pasi me këtë ndeshje do të barazojë rekordin e Lorik Canës, si lojtari me më shumë paraqitje me fanellën e Kombëtares — 93 ndeshje.

Ky moment simbolik vjen pas një rrugëtimi që nisi në vitin 2013, kur Xhani De Biazi e aktivizoi për herë të parë në miqësoren kundër Gjeorgjisë. Që prej asaj dite, Hysaj është bërë një nga shtyllat kryesore të kuqezinjve, duke qenë pjesë e të dy Europianëve ku ka marrë pjesë Shqipëria.

Në më shumë se një dekadë me Kombëtaren, 31-vjeçari ka kaluar momente të vështira dhe kritika, por gjithmonë ka arritur të rikthehet si lider dhe shembull qëndrueshmërie. Në këto eliminatore, ai ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm në formacionin e Sylvinhos, duke treguar përvojë, disiplinë dhe stabilitet.

Tani, me mundësinë për ta parakaluar Canën në ndeshjet e ardhshme, Hysaj nuk flet vetëm për rekorde personale, por për një ëndërr shumë më të madhe — Botërorin 2026.

Të fundit