Flash News

E-TJERA

Emri del brenda Majit, hapat që duhet të ndiqen për zgjedhjen e Presidentit të ri

Emri del brenda Majit, hapat që duhet të ndiqen për zgjedhjen e

Zgjedhja e Presidentit të ri të vendit është aktualisht një nga çështjet më të rëndësishme. Mandati i Ilir Metës përfundon më 24 korrik. Mazhoranca është shprehur se emri i Presidentit të ri do të dalë para datës 24 maj.

Por situata në PD duket se do ta vështirësojë këtë proces. Kjo pasi kreu i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj nisi negociatat me socialistët dy ditë më parë, ndërkohë që gjykata njohu “Rithemelimin”. PD është shprehur se Alibeaj nuk është i mandatuar dhe se nuk mund të negociojë në emër të partisë.

Socialistët janë shprehur se mundësinë që shteti të drejtohet nga një grua janë të shumta. Disa ditë më parë qarkulluan edhe zëra se një emër i mundshëm mund të ishte ish-kryedemokrati Lulzim Basha.

Zgjedhja e Presidentit të ri duhet të kalojë disa hapa. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Zgjedhja e tij kalon në pesë raunde në Kuvend. Në tre raundet e para kandidati duhet të marrë 3/5 e votave në Parlament, ose 84 vota.

Ndërsa në dy raundet e fundit mjaftojnë vetëm 71 vota të deputetëve. Presidenti zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.

President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vitet e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.

Të fundit