Flash News

E-TJERA

Falsifikonte dokumente për emigrantët, arrestohet pas 2 muajsh hetim 49-vjeçari nga Pogradeci; çfarë iu sekuestrua

Falsifikonte dokumente për emigrantët, arrestohet pas 2 muajsh hetim
Foto Ilustruese

Pas 2 muajsh hetim, policia ka vënë në pranga një 49-vjeçar nga Pogradeci, i cili falsifikonte dokumente për emigrantët.

Gjatë kontrollit në banesë, policia sekuestroi 8 telefona celularë,1 vulë universale e cila dyshohet se përdorej për falsifikim, 7 pasaporta të dyshuara si të falsifikuara me identitete të ndryshme, 1 dokument identifikimi grek, 8 certifikata familjare të shtetasve të ndryshëm, 105 leje kalimi të tjera të paplotësuara por të vulosura dhe disa dokumente të tjera.

Ndërkohë po punohet për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Pogradec

Finalizohet operacioni policor “Emigranti”.

Operacioni pas një hetimi disa mujor, zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.

Falsifikonte pasaporta, leje drejtimi, kartela punësimi, leje kalimi për në shtetet e huaja, vihet në pranga 1 shtetas.

Sekuestrohen dokumente të ndryshme dhe mjete të cilat përdoreshin nga ky shtetas, për falsifikimin e tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, pas një hetimi disa mujor për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të falsifikimit të dokumenteve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Emigranti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit N. J., 49 vjeç, banues në Pogradec.

Në bazë të informacioneve të grumbulluara dhe veprimeve të kryera gjatë periudhës hetimore disa mujore, se një shtetas në banesën e tij në qytetin e Pogradecit, ushtronte veprimtarinë kriminale të falsifikimit të dokumentacioneve të ndryshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec ushtruan kontroll në banesën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

8 telefona celularë; 1 vulë universale e cila dyshohet se përdorej për falsifikim; 7 pasaporta të dyshuara si të falsifikuara me identitete të ndryshme, 1 dokument identifikimi grek, 8 certifikata familjare të shtetasve të ndryshëm, disa leje kalimi për në shtetin grek dhe italian me identitete të ndryshme personash; 105 leje kalimi të tjera të paplotësuara por të vulosura, 3 leje drejtimi shqiptare të dyshuara si të falsifikuara; kartela punësimi të vulosura dhe të nënshkruara.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i akteve të gjendjes civile”, “Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”.

 

Të fundit