Flash News

E-TJERA

Festa e Sulltan Novruzit dhe ritet e saj, politika përcjellë mesazhet e urimit

Festa e Sulltan Novruzit dhe ritet e saj, politika përcjellë mesazhet
Foto ilustruese

Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallerohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Kjo ditë u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Një nga ritet e kësaj feste është hedhja e ujit në pragjet e shtëpisë, për të pastruar të ligat nga shtëpitë e tyre e për t’i gjetur mbarë e pastër. Festa e Sulltan Novruzit simbolizon “shpëtimin e të varfërve dhe njërëzisë, nga dimri i acartë dhe skamja”.

Vizitat në shtëpitë e të afërme është një tjetër rit i kësaj feste, por duke marrë parasysh situatën e pandemisë, ka kushtëzime. Gatimet dhe ushqimet karakteristike për këtë ditë janë  byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh dhe bërja e kurbanit. Bimët simbolizojnë 12 imamët, 12 muajt e vitit dhe jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë për vitin e ardhshëm.  

Për këtë festë kanë ardhur edhe mesazhet e para të urimit nga politika. Presidenti Ilir Meta uron festën dhe shkruan në Facebook se "një shpresë e re po lind dhe një epokë po çel bashkë me rigjallërimin e natyrës".

Referuar situatës që po kalon vendi për sjkak të pandemisë ai thekson se "U bashkohem sot lutjeve për shëndetin tuaj dhe të çdo anëtari të familjes! Diell dhe Pranverë në zemrën e çdo shqiptari!"

Ndërkohë, edhe kryeministri Edi Rama ka uruar komunitetin bektashian. Ai shkruan në rrjetet sociale: Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian.

Në të njëjtën linjë edhe kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar besimtarët, ndërsa shkruan në Facebook se, "qoftë kjo ditë e bekuar një ogur i mbarë për çdo shqiptar e për çdo familje që sot i lutet Zotit për të mirën, shëndetin dhe ngadhënjimin mbi të keqen”.

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar këtë festë duke i dëgruar një letër Kryegjyshit të bektashinjve, Edmond Brahimaj ose i njohur ndryshe si baba Mondi.

Ruçi thekson 30-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ndërsa shkruan se "Forca e qëndresës bektashiane po shfaqet edhe gjatë këtyre stinëve të vështira të pandemisë, duke lehtësuar pasojat e saj të besimtarët dhe të gjithë shqiptarët. Bektashizmi, kjo shkollë e madhe e tolerancës, është njëkohësisht një shkollë e madhe e besimit, fuqisë, mbijetesës dhe rezistencës ndaj të keqes".

Të fundit