Flash News

E-TJERA

Finalja e Conference League në Tiranë, policia njofton masat: Kufizohet lëvizja e mjeteve

Finalja e Conference League në Tiranë, policia njofton masat:

Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave të parashikuar për datat 24-25 maj që përkojnë me zhvillimin e finales së Conference League në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë, ku do të luhet sfida mes Roma-Feynoord.

Duke filluar nga shoqërimi i delegacioneve holandeze e italiane, përfshirë edhe futbollistes e të dyja ekipeve, qeveria do të ngrerë disa postblloqe me qëllim sigurimin e rendit publik.

Në hyrje të ‘Air Albania’ do të vendosen pika kontrolli për sportëdashësit që do të shohin ndeshjen. Qarkullimi i mjeteve do të kufizohet nga stadiumi deri në sheshin “Skënderbej”, në lindje deri në Rrugën e Elbasanit dhe në perëndim deri në rrugën “Sami Frashëri”.

Policia i ka bërë thirrje qytetarëve që në 24 dhe 25 maj të shmangen maksimalisht lëvizja me makina.

Pjesë nga deklarata e Policisë së Shtetit:

Masa të veçanta janë parashikuar nga Policia e Shtetit, për të qenë prezent për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillojë Bashkia e Tiranës, për pritjen e sportdashësve të dy ekipeve në dy “Fan Zonat”, tek shëtitorja “Murat Toptani”, për sportdashësit e ekipit të Feyenoord dhe në zonën e Amfiteatrit në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, për sportdashësit e ekipit të Romës, por edhe në aktivitetin festiv që do të organizohet në sheshin “Skënderbej”.

Lëvizja e sportdashëve të ekipit të futbollit të Feyenoord drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek pedonalja “Toptani”, përgjatë bulevardit “Deshmorët e Kombit”, në rrugën “Gjergj Filipi”, ndërsa ajo e sportdashësve të ekipit të futbollit të Romës drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek Amfiteatri në kodrat e Liqenit Artificial, sheshi “Chopin”, rruga “Lek Dukagjini”.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm, konsistojnë në disa plane, si në:

– Eskortimin e ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoord nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

– Eskortimi i Personaliteteve të Larta të UEFA dhe Personaliteteve të tjera Shtetërore nga aeroporti i Rinasit në hotel dhe në kthim për në Rinas;

– Eskortimi i automjeteve me sportdashës të të dy ekipeve të futbollit nga Rinasi dhe Durrësi në Tiranë dhe në kthim;

– Garantimin e rendit publik në dy “Fan Zonat” ku do të qëndrojnë një pjesë e mirë e sportdashësve të të dy ekipeve, gjatë lëvizjes së tyre nga “Fan Zona” në stadium dhe largimin në përfundim të ndeshjes;

– Organizimin e pikave të kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium, në rrugën “Dervish Hima”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II” dhe tek kolonat në sheshin “Italia”;

– Mbështetjen e stjuartëve gjatë kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium;

– Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

– Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

– Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit etj.

Me qëllim garantimin e një mjedisi sa më të sigurtë për sportdashësit e të dy ekipeve të futbollit, si dhe sigurimin e lëvizjes së tyre, Policia e Shtetit, në bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, do të marrë masa për kufizimin e lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore, duke filluar nga stadiumi deri në sheshin “Skënderbej”, në lindje deri në Rrugën e Elbasanit dhe në perëndim deri në rrugën “Sami Frashëri”.

Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve gjatë datave 24 dhe 25 maj 2022, në qytetin e Tiranës, Policia e Shtetit apelon dhe kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, me qëllim që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete gjatë këtyre dy ditëve.

Nisur nga fakti se sportdashësit e dy ekipeve, për të hyrë në stadium, do të ndjekin intenerarin e përcaktuar më sipër, me qëllim shmangien e konfuzionit në pikat e kontrollit të organizuar nga Policia e Shtetit, si dhe në hyrjet e stadiumit, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë që kanë një biletë për këtë ndeshje, të lëvizin në rrugën “Papa Gjon Pali II” dhe në rrugën “Dervish Hima”, për t’u drejtuar në stadium. Ndërsa qytetarët e tjerë që nuk kanë biletë për në stadium, të mos frekuentojnë këtë zonë.

Është rasti të kujtojmë qytetarët shqiptarë dhe të huaj se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si: hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Të fundit