Flash News

E-TJERA

Fitorja e VetëVendosjes, vijnë mesazhet e urimit nga politika shqiptare

Fitorja e VetëVendosjes, vijnë mesazhet e urimit nga politika

Figura të rëndësishme të politikës shqiptare kanë uruar liderin e VetëVendosjes, Albin Kurtin për fitoren e thellë në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përmes një postimi në Facebook, uroi të gjithë qytetarët dhe klasën politike të  Kosovës për fitoren, teksa shtoi se Kosova ishte një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë.

 “Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre.

Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik.

Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes”, shkruan Meta.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama uroi gjithashtu fituesit e VV dhe shprehu dëshirën që vullneti i Kosovës të mishërohet në një qeveri të qëndrueshme.

“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve,LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën,me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik&social”,  shkroi Rama në Twitter.

Edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi uroi Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për fitoren dhe tha se mirëpret mundësinë që me qeverisjen e re të Shqipërisë, të jenë krah për krah për bashkëpunim real.

“Kosova dhe qytetarët e saj zhvilluan një proces zgjedhor shpresëdhënës këtë 14 shkurt, që edhe nën sfidën e pandemisë, u dominuan nga kultura demokratike për respektimin e vullnetit të sovranit.

Urime Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren bindëse.

Suksese parlamentit dhe qeverisë së re, me bindjen se do t’i japin një ritëm më të shpejtë zhvillimeve pozitive për forcimin e shtetit të Kosovës dhe integrimit të tij në arenën ndërkombëtare.

Mirëpres mundësinë që me qeverisjen e re të Shqipërisë, të jemi krah për krah për bashkëpunim real dhe integrim në të gjitha planet me Kosovën, duke synuar një të ardhme më të mirë të qytetarëve tanë”, tha Kryemadhi.

Nuk ka munguar as urimi i kreut të grupit parlamentar të PS, Tailant Balla, i ciki uroi Albin Kurtin për fitoren dhe tha se të dy vendet janë si motër e vëlla, e duhet të marrim mësime nga njëri-tjetri.

 “Dua ta nis me një urim për Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve me një standard të larta, për një pjesëmarrje të admirueshme në zgjedhje. Kemi diskutuar në mbledhjen e Shtabit, mbi zgjedhjet në Kosovë. Konstatojmë me kënaqësi që këto zgjedhje vajtën shumë mirë. Gjej rastin që të përgëzojë të gjitha partitë politike të Kosovës për frymën dhe standardin e zgjedhjeve. Dua ta uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen, mikun tonë Albin Kurtin për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Uroj që krijimi i qeverisë së re të marrin kohën e mjaftueshme. Mezi presim bashkëpunim. Ne jemi motër e vëlla dhe sigurisht që marrim nga njëri-tjetri mësime, eksperienca. Ajo që për mua është me rëndësi dhe që mesazhi që duhet të japim është se tashmë partitë politike të pranojnë rezultatin. Uroj që dhe në Shqipëri pas 25 prill çdo parti politike të pranojë rezultatin. Është me rëndësi që të hiqet dorë nga historitë e së të kaluarës, nga bojkotet. Ata që humbin zgjedhjet duhet të kuptojnë se nuk është faji i qytetarëve. Kur populli merr pjesë masivisht, edhe pse ishte pandemia, mesazhi ishte i qartë”, tha Balla.

Më herët ishte kryetari PD, Lulzim Basha i cili uroi Kurtin dhe Osmanin për fitoren në zgjedhjet e djeshme.

Të fundit