Flash News

E-TJERA

Florian Binaj zhvillon takimin e parë me opozitën, thirrje qytetarëve: Bashkohuni pa dallim partie

Florian Binaj zhvillon takimin e parë me opozitën, thirrje

Florian Binaj, kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës i mbështetur nga opozita, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e të gjitha partive të opozitës.

Binaj e cilësoi takimin si të frytshëm dhe të parin në një seri takimesh që zhvillohen për një koordinim më të mirë në vijim.

Binaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t'i bashkohen pa dallim partie, sepse sipas tij, kjo është një çështje që u përket të gjithë qytetarëve,.

Kandidati i pavarur tha se strategjia e tij e fushatës është që të dalë në terren pa praninë e kryetarëve të partive.

"Sot u zhvillua takimi i parë me përfaqësuesit, të dërguarit dhe koordinatorët e partive të opozitës. Edhe ishte një takim shumë i frytshëm dhe besoj është takimi i parë i një serie takimesh që na pret në ditët në vijim, për t'u koordinuar edhe më mirë me njëri-tjetrin.

Mesazhi im është që ne jemi të gjithë së bashku dhe unë si kandidat i pavarur, falë mbështetjes së të gjitha partive të opozitës, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të na bashkohen pa dallim partie, pa dallim, pa dallime të tjera, sepse kjo është një çështje që i vlen shumë të gjithë qytetarëve, ky, ky moment.

Jemi duke punuar me një ekip jopartiak që brenda një kohe të duhur, sepse gjërat për t'u bërë mirë duan kohën e tyre, të dalim dhe të tregojmë këtë program për të gjithë qytetarët.

Nuk kam folur me zotin Berisha, por dhe kam thënë që në daljet në terren, në fushatë, do jem pa përfaqësimin e kryetarëve, por absolutisht jam i gatshëm të takoj çdo kryetar të partive të opozitës.

Ky bashkim që po ndodh tani, me të gjithë përfaqësuesit e partive, është një tregues i jashtëzakonshëm i asaj që pritet të ndodhë.

Më pëlqejnë këto pyetjet që vijnë nga, nga ABC-ja. Unë jam, siç e thashë, jam një kandidat i pavarur, i mbështetur nga të gjitha partitë e opozitës. Dhe në qoftë se ju e shihni si si një lloj varësie faktin që mbështetja vjen jo vetëm nga Partia Demokratike por nga të gjitha partitë e tjera, po, jam i varur edhe nga Partia e Lirisë, jam i varur edhe nga Partia Nisma Thurje, edhe nga Shqipëria Bëhet, dhe nga Partia Agrare Ambientaliste, nga të gjitha. Kështu që... Faleminderit. Kjo ishte përgjigja ime. Faleminderit të gjithëve", deklaroi Binaj.

Të fundit