Flash News

E-TJERA

Fuga: Mospranimi i vendimit të Arbitrazhit nga qeveria sjell pasoja

Fuga: Mospranimi i vendimit të Arbitrazhit nga qeveria sjell pasoja

Akademiku Artan Fuga komentoi çështjen e humbjes së gjyqit në Arbitrazhin e Bankës Botërore të Shqipërisë me investitorin italian Francesco Bechetti.

Me anë të një komunikimi të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24, sipas tij dalja e Shqipërisë nga juridiksioni i kësaj gjykate ashtu siç paralajmëroi kryeministri Rama më herët do ketë pasoja për vendin, teksa tha se nëse ky vendim nuk njihet besueshmëria në arenën ndërkombëtare do ulet ndjeshëm.

“Për mua nuk është çështja e parave në rastin e Bechettit edhe pse është e rëndësishme dhe ka rolin e vetë. Një gjykatë arbitrazhi nuk na jep të drejtë neve, kjo tregon në radhë të parë që duhet të gjykojmë me kujdes. Jo medoemos gjykimet e gjykatave tona apo vendimet e shtetit që nuk janë gjithmonë të sakta. Duhet të ketë një moment reflektimi dhe hetimi duhet të jetë më i fortë.

Një gjykatë që në parim ka neutralitetin nuk ka arsye që të mos dëgjojë avokatët e Shqipërisë. Ne e kemi pranuar këtë gjë, janë mbi 100 shtete mbi bazën e një marrëveshjeje dhe ti nuk mund të dalësh kështu, jo në momentin kur merr dënimin. Kjo në sytë e opinionit ndërkombëtar është jo e lehtë për ta marrë përsipër. Nuk besoj se do bëhet. Më mirë të paguhen dhe të kenë kujdes herë tjetër sesa të dalësh nga ajo gjykatë”, tha Fuga.

Ai shtoi se po ashtu largimi nga një instancë e tillë ligjore ndërkombëtare mund të sjellë penalitete në të ardhmen, duke sjellë që zgjidhja më e mirë të jetë pagesa e shifrës prej 110 milionë eurosh ndaj Bechettit.

“Nëse një gjykatë që njihet si instancë juridike që funksionon mbi ligjin civil, nëse ne nuk e njohim atë vendim, besueshmëria jonë për të garantuar kontrata të tjera në planin ndërkombëtar bie shumë dhe vlen më shumë se 110 milionë eurot.

Mund të dobësohemi po ashtu, sipërmarrjet mund të kenë konflikte në të drejtën ndërkombëtare dhe duke mos qenë në atë gjykatë penalizohemi për çështje më të mëdha. Një shteti i vogël e do më shumë ligjin se ai i forti. Unë do isha kundër daljes”, shtoi akademiku.

 

Të fundit