Flash News

E-TJERA

"Gërdeci"/ GjKKO cakton datën për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për Fatmir Mediun

"Gërdeci"/ GjKKO cakton datën për të shqyrtuar

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar datën e seancës ndaj kreut të PR-së dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për çështjen e "Gërdecit".

Seanca do të mbahet më 27 korrik, në dhomë këshillimi dhe GJKKO do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e 2009, apo do të çojë çështjen për gjykim nëse ka prova të reja. Gjyqtar i kësaj çështjeje do të jetë Erjon Çela.

Më herët ishte Gjykata e Lartë ajo që shpalli moskompetencë mbi kërkesën e SPAK për të nisur hetimet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ajo ia kaloi çështjen GjKKO-së me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

Ndërkohë avokati mbrojtës i tij, Ardian Visha, kohë më parë tha se mundësitë për ta rihapur çështjen janë zero sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës se Parë nuk mund të prishë një vendim të gjykatës së Lartë që në këtë rast është vendimi i pushimit të 2009.

Gjykata e Lartë kishte vendosur të pushojë çështjen ndaj Mediut pasi ai kishte imunitet dhe prokuroria nuk kishte marrë autorizim.

Por ndryshimet ligjore të vitit 2012 dhe 2017 kanë ndryshuar imunitetin parlamentar të të zgjedhurve, ndaj ndjekjeve penale, hetimit apo gjykimit të tyre.

Mediu u akuzua në atë kohe për shpërdorim detyre, në lidhje me shpërthimin e municioneve në fabrikën e demontimit në Gërdec. Një nga familjarët, Zamira Durdaj, e cila humbi të birin, kallëzoi në SPAK ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë të 109 të të tjerëve.

Të fundit