Flash News

E-TJERA

Gjermania premton lehtësime për procedurën e bashkimit familjar: Dhënia e vizës do të përshpejtohet

Gjermania premton lehtësime për procedurën e bashkimit familjar:

Mijëra punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët punojnë dhe jetojnë në Gjermani, hasin shpesh probleme me procedurat e bashkimit familjar. Radhët e gjata në zyrat e aplikimit, koha e pritjes, refuzimi e kanë bërë të lodhshëm vijimin e procedurave për disa njerëz.

Megjithatë, qeveria e re gjermane duket se do të ndërmarrë disa praktika që do të lehtësojnë procedurat e bashkimit familjar. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme në Gjermani, raporton Deutsche Welle.

Si rregull pas dy vjetësh, por edhe në varësi të llojit të lejes së qëndrimit në Gjermani, emigrantët mund të bashkohen me familjet e tyre. Për këtë duhet të plotësohen disa kritere, si të ardhurat e mjaftueshme, të rregulluara në bazë kategorish nga ligjëvënësi, të cilat do të mundësonin që bashkëshorti/tja e fëmijët apo të tjerë të kishin një jetesë normale nga rroga e familjares apo familjarit që fiton të ardhurat.

Një kriter tjetër është edhe gjuha gjermane e cila kërkohet në nivele të caktuara. Por edhe pse pjesa më e madhe i plotësojnë kriteret e përcaktuara nga qeveria, përsëri kalojnë një periudhë ngërçi dhe nuk arrijnë dot të marrin as një orar për të dorëzuar kërkesën për vizë e më pas për ta marrë atë.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, në një prononcim të fundit për DW, thotë se në dy vitet e fundit në ambasadat e Beogradit dhe Prishtinës është arritur që të reduktohen kohët e pritjes për viza për bashkimin familjar. Kurse në ambasadat në Sarajevë, Shkup dhe Tiranë kohët e pritjes për një orar për aplikimin për vizën e bashkimit familjar edhe më tej konsistojnë në 6 muaj dhe deri në 9 muaj.

Partitë e koalicionit qeveritar, SPD, Të Gjelbrit dhe liberalët kanë premtuar përmirësime. Në marrëveshje theksohet, se "dhënia e vizës do të përshpejtohet dhe digjitalizohet më shumë". Lajmin e konfirmon edhe zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme në Berlin.

"Krahas masave organizuese në marrëveshjen e koalicionit janë parashikuar edhe lehtësime të tjera për procedurën e vizave për bashkimin familjar, të cilat pas zbatimit mund të çojnë po ashtu në zvogëlimin e kohës së pritjeve", deklaroi zyra e shtypit.

Për zbatimin e këtyre lehtësimeve, është e nevojshme të behën disa ndryshime ligjore dhe ministritë përkatëse janë në kontakt të vazhdueshëm me njëra-tjetrën.

Të fundit