Flash News

E-TJERA

Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin për Alda Klosin dhe Rozeta Dobin

Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin për Alda Klosin dhe Rozeta

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimet e dhëna nga Gjykata e Tiranës për Alda Klosin dhe Rozeta e Havier Dobin.

Alda Klosi, ish-shefe e kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg për fshehje pasurie, në mars të këtij viti. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i saj u reduktua në 1.8 vite burg.

Po ashtu, Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi, u shpallën fajtorë për vjedhje me pasoja të rënda në bashkëpunim, duke u dënuar përkatësisht me 7 dhe 5 vjet burg.

Ngjarja që çoi në arrestimin e Rozeta dhe Havier Dobit daton në dhjetor 2022, kur Alda Klosi denoncoi në polici vjedhjen e një shume të madhe parash dhe bizhuterish nga banesa e saj në rrugën e Kosovarëve në Tiranë. Në janar 2023, policia arrestoi nënë e bir, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjetën 404,800 euro, 8,500 dollarë dhe aksesorë floriri të fshehur në një tub aspirimi. Gjithashtu, Havierit iu sekuestruan edhe dy automjete.

Vetë Klosi kishte raportuar për vjedhjen e 120,000 eurove, 30,000 dollarëve dhe bizhuterive, por pas arrestimit të saj në shkurt 2023, ajo vazhdoi të mohojë se shuma e gjetur në shtëpinë e Dobit i përkiste asaj, pavarësisht dëshmisë së Rozeta Dobit që pranoi se i kishte marrë paratë nga banesa e Klosit.

Të fundit