Flash News

E-TJERA

Gripi dhe virozat në rënie në vend, ekspertët e ISHP vijojnë thirrjet për vaksinim

Gripi dhe virozat në rënie në vend, ekspertët e ISHP

Prej javësh virozat dhe gripi kanë prekur një numër të madh qytetarësh në vend, duke mbushur spitalet përtej kapaciteteve të tyre. Të prekurit paraqiteshin me simptoma si temperaturë, kollë dhe të vjella, duke kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të zgjatjes së gjendjes gripale.

Megjithatë, në fillim të shkurtit situata e gripit në vend duket se po normalizohet. Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), numri i të prekurve me grip dhe viroza ka pësuar rënie, me 2 mijë raste më pak krahasuar me periudhën e mëparshme.

Ekspertët e ISHP vijojnë të këshillojnë qytetarët për të aplikuar vaksinën antigrip si mbrojtjen më të mirë kundër virozave respiratore. Mjeku Artan Simaku thekson rëndësinë e konsultës me mjekun e familjes dhe shmangien e përdorimit të antibiotikëve pa recetë.

“Nuk është kurrë vonë për vaksinimin. Nëse nuk janë vaksinuar në tetor, mund të paraqiten ende në qendrat shëndetësore. Është e rëndësishme që qytetarët të mos neglizhojnë simptomat dhe të konsultohen me mjekun e familjes në vend që të drejtohen menjëherë në urgjencë,” tha ai.

Sipas ekspertëve, aktualisht në qarkullim janë disa viruse njëkohësisht, por dominojnë ato të gripit A dhe B, përfshirë nën-tipet AH1N1 dhe AH3N2. Po ashtu, qarkullon edhe virusi sinsincial, që prek kryesisht fëmijët e vegjël, si dhe Covid-19, megjithëse me raste të pakëta.

Të fundit