Flash News

E-TJERA

Hyn në fuqi ligji/ Nga java e ardhshme, nis sekuestrimi i pikave të karburantit që abuzojnë me çmimin

Hyn në fuqi ligji/ Nga java e ardhshme, nis sekuestrimi i pikave të

Duke filluar nga java e ardhshme, të gjitha ato pika karburantesh të cilat nuk respektojnë vendimin e Bordit Kombëtar të Administrimit për përcaktimin e çmimit të karburanteve, do të humbin licencën.

Qeveria ngriti strukturën e BKAK për të përcaktuar “në transparencë të plotë të çmimit tavan, duke marrë në konsideratë një marzh, i cili mbulon kostot e shoqërisë”, si edhe “të vendosë masën administrative, ndaj shoqërive në rast shkeljeje”.

Dje u penalizuan dy pika karburanti në Tiranë dhe Vlorë, pasi u konstatua se abuzonin me faturime mbi çmimin e përcaktuar nga BKAK për të gjitha pikat.  

Ligji i jep të drejtë Bordit të Administrimit të gjobisë pikat e tregtimit të karburanteve duke filluar nga gjobat e deri te heqja e licencës.

Nga ana tjetër Akti Normativ, parashikon që çdo pikë karburanti të mbajë rezerva përkatëse të karburanteve dhe të garantojnë furnizimin të pandërprerë. Në të kundërt, akti parashikon përjashtimin nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Masat e veçanta administrative

Në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës, të vendosur nga Bordi, zbatohen sanksionet e mëposhtme:

a) Shoqëritë e tregtimit me shumicë të produkteve të naftës dhe gazit dënohen me gjobë, në masën 10 (dhjetë) milionë lekë;

b) Shoqëritë e tregtimit me pakicë të produkteve të naftës dhe gazit, të cilat nuk respektojnë çmimin tavan përkatës të vendosur nga Bordi, dënohen me gjobë, në masën 2 (dy) milionë lekë;

c) Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, i shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit.

Masat me karakter detyrues

1. Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me shumicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave përkatëse, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi, dhe të ofrojnë këtë shërbim të pandërprerë, në përputhje me vendimet e Bordit.

2. Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizimin e pandërprerë të konsumatorit/qytetarit, në përputhje me vendimet e Bordit.

3. Mosmarrja e masave nga shoqëritë private, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, dënohet sipas legjislacionit të fushës dhe këto shoqëri përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik.

4. “Albpetrol”, sh.a. me qëllim përmirësimin e situatës me furnizim të hidrokarbureve, ka të drejtë të hyjë në marrëveshje direkte me shoqëri private ose publike.

Të fundit