Flash News

E-TJERA

Atentati i Rinasit, Hoxha: Pse Shullazi mund të heshtë

Atentati i Rinasit, Hoxha: Pse Shullazi mund të heshtë

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar zhvillimin e fundit lidhur me marrjen e dëshmisë së Emiljano Shullazit për atentatin e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit, ku humbën jetën Gilmando Dani, i konsideruar krahu i djathtë i tij, si dhe punonjësi i AMP-së, Mustafa Sheqeri.

I ftuar në Euronews Albania, Hoxha tha se fakti që autoritetet kanë vendosur të thërrasin Shullazin për të dëshmuar përbën lajm në vetvete, për shkak të peshës që ai ka pasur në botën e krimit dhe lidhjes së drejtpërdrejtë me viktimën kryesore të atentatit.

Hoxha shprehet skeptik se Shullazi do të japë informacione që mund të çojnë realisht në zbardhjen e ngjarjes. Sipas tij, profili i Shullazit nuk është ai i një personi që bashkëpunon lehtë me institucionet shtetërore, sidomos në një situatë ku, kundërshtarët vazhdojnë të jenë të paprekur dhe të kenë ndikim mbi strukturat e zbatimit të ligjit.

“Sigurisht që është një veprim që shkakton zhurmë nga ana e hetuesve për shkak të asaj çfarë përfaqëson Shullazi. Sigurisht që është njeriu që mbase e ka vuajtur më shumë vrasjen e Danit, ka humbur njeriun e vet më të afërt.

Grupi i hetimit e ka parë të arsyeshme dhe të nevojshme ta pyesë Shullazin për këtë ngjarje, edhe pse ai ka një kohë të gjatë që qëndron në burg, madje dy vite ka qenë në regjimin 41-bis. Ai ka 10 vjet që është i arrestuar. Imagjino sa ka ndryshuar situata kriminale në Shqipëri në këto dhjetë vite, ku situata është përmbysur në disfavor të tij.

Sot ndodhemi përpara faktit që Shullazi ka 10 vjet në burg, informacion nuk ka mundur të marrë nga burgu, apo po tentojnë hetuesit që nëpërmjet tij të bëjnë atë që nuk e kanë bërë dot këto dhjetë vitet e fundit. Por Shullazi nuk është nga ata që bashkëpunojnë lehtë me shtetin. Patjetër që ai di diçka, por nuk është në stilin e tij, pasi është me moton e vjetër të botës së krimit: bëje mirë, bëje vetë.

Do të ishte e rëndësishme nëse ai jep qoftë edhe drejtimin nga ka ardhur goditja ose kush janë të interesuarit për të realizuar një atentat si ai i Rinasit.  

Nuk është në stilin e Shullazit të japë informacione. Ai është goditur rëndë nga drejtësia. Grupi Shullazi pati dekadën e lulëzimit, më pas ‘top-lista’ u ndërrua dhe jemi në këtë situatë. Nuk besoj se në gjendjen që është ai do të dëshmojë, pasi e di shumë mirë se sa i vogël është hapi i këtyre që po hetojnë çështjen. Ai po sheh që kundërshtarët e tij nuk po goditen prej një kohe të gjatë, ka goditje minimale ndaj tyre sa për imazh”, tha Hoxha.

Të fundit