Flash News

E-TJERA

Atentati në Shkodër/ Gjendet një makinë e djegur në Grudë të Re, brenda kishte dy automatikë

Atentati në Shkodër/ Gjendet një makinë e djegur në

Disa orë pas atentatit që la të vdekur dy persona sot pasdite në Shkodër, policia ka gjetur një makinë të djegur në Grudë të Re.

Dyshohet se mjeti i përket autorëve të atentatit ku mbeti i vrarë Hamza Lici dhe një kalimtare e rastit, ndërsa u plagos Arlind Bushati dhe bashkëshorti i kalimtares.

Brenda makinës së djegur janë gjetur edhe 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur nga autorët e masakrës në fshatin Dobraç.

Në shënjestër të atentatit dyshohet se ishin Hamza Lici, i cili ka mbetur i vrarë, dhe Arlind Bushati i plagosur në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit. Sipas një njoftimi paraprak nga policia, të dy udhëtonin në një makinë benz, me targa belge, kur u qëlluan nga një makinë tjetër në lëvizje. Automjeti benz dyshohet se ka humbur kontrollin dhe, për pasojë, ka përplasur një motoçikletë me të cilën udhëtonin shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasja F.B, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Viktima e atentatit Hamza Lici është djali i Mustafa Licit, kryetar prej shume vitesh i një partie të vogël, partisë “Mendimi i Djathtë Liberal” dhe ish këshilltar bashkiak. Gjithashtu ai është vëllai i Ibrahim Licit, një person në kërkim nga policia për përfshirjen në disa vepra të rënda penale. Ndërsa Arlind Bushati, i cili mbeti në këtë atentat i plagosur rëndë, është djali i Xhemal Bushatit, ish kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar bashkie të Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2022.

Më datën 10 tetor të këtij viti, shtetasi Arlind Bushati u kërcënua me armë para një lokali në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë banesës së tij, nga dy persona që po lëviznin me një motoçikletë. Një ditë më pas ai bëri një denoncim në policinë vendore, por pa bërë të ditur nëse kishte identifikuar apo jo autorët. Ndërsa në mars të vitit 2022 banesës së prindërve të tij iu vu një sasi tritoli.

Autorët e kësaj ngjarje kanë mbetur të paidentifikuar nga policia.
Atentati i sotëm në Shkodër dyshohet se lidhet me veprimtarinë e grupeve kriminale, të cilët veprojnë prej shumë vitesh në këtë qytet dhe që kanë shkaktuar një numër vrasjesh dhe vepra të tjera kriminale.

Të fundit