Flash News

E-TJERA

Ideja e bashkimit Kosovë-Shqipëri, reagon zyrtari i Bashkimit Europian

Ideja e bashkimit Kosovë-Shqipëri, reagon zyrtari i Bashkimit Europian

Ideja e referendumit për bashkimin Kosovë-Shqipëri është rikthyer sërish në qendër të diskutimeve. Fillimisht, para zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, ishte kreu i AAK-së Ramush Haradinaj i cili tha se do të kërkojë një referendum në vitin 2025, ndërsa kreu i LVV-së Albin Kurti, pas fitores së zgjedhjeve deklaroi se do të votonte pro një referendumi të tillë.

Por, zyrtare  e Bashkimit Evropian thonë se “nuk komentojnë deklaratat” e dy aktorëve të rëndësishëm në politikën kosovare si Kurti dhe Haradinaj.

Peter Stano, zëdhënës për çështjet e jashtme dhe ato të sigurisë në BE, deklaron se liderët duhet të udhëheqin me shembull një klimë që shkon drejt promovimit të një fqinjësie të mirë në rajon.

“Ne nuk i komentojmë deklaratat. Duke folur në përgjithësi, udhëheqësit politikë në rajon duhet të udhëheqin me shembull promovimin e një klime të besimit të ndërsjellë, duke nxitur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal, parime dhe vlera të cilat BE-ja përfaqëson”, deklaroi Peter Stano në një përgjigje të dhënë për lajmi.net

Ai shton më tej se Bashkimi Europian pret që të gjithë faktorët në rajon të jenë aktorë të marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese, e që përqëndrohen në reforma për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian

“Bashkimi Evropian pret që të gjithë në rajon të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie konstruktive dhe bashkëpunuese dhe të përqendrohen dhe të intensifikojnë punën në programet e tyre përkatëse të reformave për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian. Kjo vlen edhe për Kosovën, e cila ka një perspektivë të qartë evropiane si pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ne presim që institucionet e reja të punojnë në këtë drejtim”, thotë Stano.

Të fundit