Flash News

E-TJERA

Imuniteti i Ballukut, PD kërkon mbledhje të hënën, PS në Janar

Imuniteti i Ballukut, PD kërkon mbledhje të hënën, PS

Pas shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku, Partia Demokratike ka kërkuar që takimi i ardhshëm të mbahet në 22 dhjetor.

Nga ana tjetër Partia Socialiste ka kundërshtuar pasi insiston që kjo mbledhje të shtyhet për në muajin janar, ndërsa SPAK kërkon që mbledhja të zhvillohet nga maksimumi 3 deri në 5 ditët e ardhshme.

Sakaq, avokat i Balluku ka kërkuar 3 javë kohë për t’u njohur me dosjen. 

Gjatë mbledhjes, socialistët thonë se provat duhet të shqyrtohen brenda në mbledhje dhe se USB-ja nuk duhet t’iu jepet anëtarëve që të aksesojnë materialet vetë. Por, prokurorët e SPAK thonë se materiali i USB-së mund të aksesohet nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe mund t’i kenë provat secili prej anëtarëve.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës

Kujtojme se Prokuroria e Posaçme iu drejtua më 16 dhjetor zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për heqjen e imunitetit  të zv. kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Qëndrimi i prokurorisë ndaj Ballukut u përshkallëzua që prej momentit që kjo e fundit u njoh me akuzën në fund të tetorit. Fillimisht hetimi ndaj saj kishte si objekt vetëm ndërhyrjen në tenderin për tunelin e Llogarasë. Javë më vonë Gjykata e Posaçme miratoi një kërkesë të re të prokurorisë për pezullimin nga detyra të Ballukut pasi prokuroria shtoi si akuzë ndaj saj edhe manipulimin e një prej 7 tenderave të shtatorit 2021 për Unazën e Madhe të Tiranës.

Por ndërsa kryeministri Edi Rama u vu në mbrojtje të zëvendëses së tij duke kundërshtuar pezullimin në Gjykatë Kushtetuese dhe duke u ankuar se gjyqësori po ndërhynte në punët e ekzekutivit, SPAK shtoi akuzat në dosjen penale të Ballukut dhe ka ashpërsuar kërkesën për masë sigurie.

Në kërkesën për heqje të imunitetit, SPAK parashtron se kishte prova që Balluku ndërhyri në të 7 tenderat për Unazën e Madhe të shtatorit 2021 dhe ndërkohë po ashtu ajo akuzohet për manipulim të koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar dhe një koncesion për mirëmbajtjen e akseve rrugore të Rajonit Verior të vendit.

Prokuroria argumenton se faktet e reja penale që rëndojnë mbi Ballukun, që përfshijnë tendera dhe kontrata me vlerë rreth 600 milionë euro dhe po ashtu sjellja e saj deri në këtë fazë të hetimit bënin të nevojshme ndryshimin e masës së sigurisë.

Sipas prokurorisë ekzistojnë shkaqe të rëndësishme për të kërkuar arrestimin e Ballukut dhe se liria e saj vë në rrezik marrjen dhe vërtetësinë e provës apo kryerjen e veprave penale të ngjashme.

Të fundit