Flash News

E-TJERA

Integrimi në Bashkimin Evropian, Majlinda Bregu: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë së bashku

Integrimi në Bashkimin Evropian, Majlinda Bregu: Vendet e Ballkanit

Sekretarja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal të Ballkanit Perëndimor, Majlinda Bregu ka theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në rrugën drejt Integrimit Evropian.

Në një intervistë për DW, Bregu theksoi se pavarësisht largimit të kancelares gjermane Angela Merkel, e njohur për kontributin që ka dhënë në mbështetje të procesit të integrimit, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë së bashku.

"Kontributi dhe angazhimi personal i kancelares Angela Merkel për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ka qenë me rëndësi të madhe. Roli i saj udhëheqës ka formësuar rajonin dhe do të ketë një efekt afatgjatë.

Siç thekson Kancelarja përsëri dhe përsëri: Evropa mund të jetë e suksesshme vetëm nëse punojmë së bashku. Edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse ta dëgjojnë këtë grua të mençur dhe të bashkëpunojnë", përfundoi Bregu.

Bregu shtoi se Procesi i Berlinit është i vetmi forum ku krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të diskutojnë për prioritetet e përbashkëta me disa nga vendet e BE-së.

"Procesi i Berlinit ka dhe shumë anë të tjera: ai është ende i vetmi forum, në të cilin krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të diskutojnë dhe formësojnë prioritetet e tyre të përbashkëta me disa nga vendet e BE-së, Komisionin e BE-së, shoqërinë civile dhe institucionet ndërkombëtare financiare", është shprehur Bregu.

Sa i përket krijimit të një tregu të përbashkët, që synon lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve, Bregu ka theksuar se procesi nuk ka hasur asnjë pengesë dhe se vendet janë të gatshme t'a mbështesin.

"Teknikisht, nuk ka asnjë pengesë për të pranuar këtë marrëveshje. Të gjitha vendet kanë treguar gatishmëri për t'a mbështetur atë. Kjo marrëveshje do të ishte një tjetër moment historik pozitiv nëse do të arrinim të hiqnim pengesat politike në muajt në vazhdim.

Një argument pro këtij projekti është një anketim i në Barometrin e Ballkanit, sipas të cilit 42 përqind e qytetarëve kosovarë kanë konfirmuar se do të udhëtonin më shpesh brenda Ballkanit Perëndimor, nëse do të mund të lëviznin lirshëm vetëm me një kartë identiteti", tha Bregu.

 

Të fundit