Flash News

E-TJERA

Intervista/ Eksperti Selami Xhepa ‘zbërthen’ programin ekonomik të PD, çfarë ofron ndryshe dhe pikat që mund të zbatohen që në fillim

Intervista/ Eksperti Selami Xhepa ‘zbërthen’ programin ekonomik
Selami Xhepa, ekspert ekonomie

Tri muaj para zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Partia Demokratike prezantoi programin ekonomik, përmes të cilit synojnë rimëkëmbjen e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Objektivi kryesor i programit të PD u cilësua përgjysmimi i varfërisë, dyfishimi i të ardhurave për frymë, ndihmës ekonomike, krijimi i vendeve të reja pune, taksa e sheshtë 9%, rritja e pagës minimale etj.

Por, si është parë në këndvështrimin e ekspertëve ky program që ka zbuluar deri tani vetëm “listën e dëshirave” dhe ende reformat, politikat, masat dhe instrumentet që do vihen në zbatim.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa në një intervistë për Politiko.al ka ‘zbërthyer’ programin ekonomik të demokratëve, për të cilin thotë se ngjan si një mrekulli e pakapshme, “too nice to be true”, për sa kohë që nuk jemi njohur me mënyrën se si do të vihet ky program në zbatim dhe çfarë politikash të reja do të korrektojnë funksionimin e derisotëm të qeverisjes ekonomike të vendit.

Po ashtu, Xhepa u ndal gjerësisht edhe te disa nga pikat e programit, se si do të mund të hapeshin 110 mijë vende të reja pune, apo te debati i madh për taksimin, që PD e premton taksën e sheshtë 9%.

 

Si do ta komentonit programin ekonomik me 16 pika të Partisë Demokratike, që u prezantua një ditë më parë, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Së pari, doja të nënvizoj se në të vërtetë, vendi ka nevojë për politika të rëndësishme korrektuese, për të korrigjuar dështimet serioze të funksionimi të sistemit politik ekonomik dhe social, të cilat po i kushtojnë vendit të ardhmen e tij.

Parimet themelore të ekonomisë së tregut janë dëmtuar rëndë: konkurrenca e lirë e tregut është zëvendësuar nga mbizotërimi monopoleve në shumë sektor, transparenca dhe eficienca e përdorimit të parave publike, po dominohet gjithnjë e më shumë nga prokurimet klienteliste, pa garë dhe që kanë cenuar rëndë eficiencën e shpenzimeve publike, pasuritë natyrore të vendit janë vënë në shërbim të vetëm disa përfituesve ndërsa shoqëria dhe komuniteti nuk kanë asnjë kontroll mbi këto pasuri, që janë të shoqërisë, praktikat korruptive janë përhapur edhe më shumë ndërsa kapja e shtetit në politikbërje janë dëshmi se sistemi ekonomik e social po vihet gjithnjë e më shumë në funksion të një grupi përfituesish.

Shkurt, vendi ka nevojë për një “shkundje” të fortë të këtij “moçali” ku ka ngecur shoqëria jonë.

Ajo që parashtrova më sipër, nënkupton se reformat e pritshme janë më shumë të natyrës së ekonomisë politike, të korrigjimit të funksionimit të sistemit. Politikat fiskale dhe buxhetore, të taksimit dhe shpenzimeve publike, janë thjesht instrumenti për të vënë në jetë ndryshimet e sistemit.

Shtrimi në këtë mënyrë i problemit, do të bënte që programi të jetë më i besueshëm dhe të ngjallë diskutime serioze midis profesionistëve dhe politikbërësve.

Për shembull, të gjithë jemi të bindur se vendi ka burime financiare të shumta që mund të çlirohen nga menaxhimi më i mirë i parave publike. Futja e garës në prokurimet publike dhe forcimi kontrollit dhe monitorimit të veprave publike, mund të çlirojë të paktën 10% më shumë fonde të lira.

Dhe kjo përkthehet me jo më pak se 120 milionë euro në vit. (Këtu po nisemi nga një kursim prej të paktën 10% që mund të sigurohet nga mbajtja nën kontroll e abuzimeve dhe praktikave korruptive në të gjithë hallkat e realizimit të veprave publike, që nga planifikimi, prokurimi dhe realizimi).

Por problemi është të tregohet se si do të arrihet drejt saj? Cilat janë ndryshimet e propozuara institucionale që do krijojnë këtë tepricë buxhetore?

Si do të ndryshojë ligji prokurimeve publike që të mundësojë arritjen e këtij objektivi?

Evazioni fiskal i kushton vendit të paktën 20% të të ardhurave buxhetore. Edhe në këtë fushë ka hapësira për të krijuar një të ardhur shtesë minimalisht edhe me 300-400 milionë euro. Por sërish pyetja shtrohet se si do mundësohet ky objektiv? Si do arrihet që përmes administrimit tatimor apo mekanizmave të tjerë inovative institucionale do bëhet e mundur vendosja e disiplinës fiskale në vend?

Duke eksploruar masat strukturore për adresimin e dy problemeve të mësipërme, indirekt marrin zgjidhje dhe disa kufizime të rëndësishme të zhvillimit të sektorit privat që lidhen me zgjerimin e konkurrencës, reduktimin e çmimeve për konsumatorët dhe krijimin e një dinamike të re për zhvillimin e sipërmarrjes private.

Kujtoj se në vitin 2005, PD kishte paraqitur një platformë të ngjashme me reduktime të ndjeshme të barrës tatimore dhe kjo ngjalli shumë skepticizëm.

Por, në dialog me FMN u vendos parimi “reforma fiskale por sipas meritës”, çka nënkupton, përmes mirëmenaxhimit të financave publike të krijohen teprica buxhetore, dhe suficitin e të ardhurave ta përkthejmë ose në reduktime të barrës tatimore, ose në shtim investimesh publike. Mendoj se ky parim duhet të vendoset në prambulën e programit ekonomik të PD sërish.

A është i realizueshëm ky program brenda një mandati?

Ambicia që parashtron ky program është ekzemplare: një dyfishim i përfitimeve në krahun e shpenzimeve publike dhe një përgjysmim i barrës fiskale. Ngjan si një mrekulli e pakapshme, “too nice to be true”.

Në gjykimin tim është në kufijtë e të pamundurës sa kohë që nuk jemi njohur me mënyrën se si do të vihet ky program në zbatim, çfarë politikash të reja do të korrektojnë funksionimin e derisotëm të qeverisjes ekonomike të vendit.

Kufizimet buxhetore do të jenë shumë të forta në vitet në vazhdim. Borxhi publik është një kërcënim eminent në nivelet e sotme dhe reduktimi tij është prioriteti absolut i çfardo qeverie që do vij në pushtet. Por, reduktimi niveleve të borxhit, bashkë me një rritje të pritshme të barrës së shlyerjes së borxhit në vitet e ardhshme (normat e interesave patjetër që do rriten), do të reduktojnë shpenzimet publike me të paktën 100-150 milionë euro më shumë nga nivelet ekzistuese (aktualisht shpenzojmë mesatarisht 400 milionë euro për shpenzim borxhi).

Nëqoftë se nuk gjenerohen të ardhura shtesë në ekonomi, qeveria do të tkurrte dhe më shumë buxhetin për shpenzimet qeveritare. Kjo do të thotë se ajo që mund të kursehet nga eficienca e shpenzimeve publike, do të humbiste nga reduktimi borxhit publik. Pra, me një efekt neto zero në rritjen e shpenzimeve qeveritare.

Pa dashur ta zgjas më tej këtë analizë, mendoj se një propozim me rëndësi duhet të jetë ngritja e një trupe të pavarur ekspertësh, të themi Bordi Përgjegjësisë Fiskale, me ekspert profesionist të fushës dhe jashtë ndikimeve politike, që të ngarkohet me prognozat e treguesve kyç fiskal: borxhit publik, të ardhurave dhe shpenzimeve, përfshirë dhe detyrimet fiskale që burojnë nga PPP e dhëna deri më sot, në mënyrë që të garantohet më së pari stabiliteti i financave publike dhe të krijohet siguri për politikat e ardhshme fiskale. Ky do të ishte një hap që dëshmon përgjegjësinë e forcave politike në qeverisjen ekonomike të sigurt.

Në një mandat politik do të duhej të ndërmerren masat strukturore të cilat pastaj do të çlirojnë energji dhe tepricat e duhura buxhetore për të nisur shkallë- shkallë që të shpërndahet dividenti reformave. Vendet e punës, pagat e të ardhurat udhëhiqen nga sektori privat. Nëse sektori privat nuk fillon të ndjejë ndikimin pozitiv të reformave strukturore, atëherë do jetë e pamundur të shpërndahet diçka më shumë, qoftë për pensione, paga në sektorin publik, etj.

 

Ka patur një premtim nga PS në 2013-ën se do të hapte 300 mijë vende pune, ndërsa PD del garant për 110 mijë vende të reja pune. Sa i realizueshëm është ky skenar duke patur parasysh edhe kushtet ekonomike në të cilat ndodhet vendi dhe a mund të jetë i besueshëm një premtim i tillë nga partitë politike ?

Nëse mendojmë se vendet e punës do të krijohen me fondet publike, kjo do të kushtonte 400-500 milionë euro (ndërsa programit të PS, 1.5 miliardë euro! – këto llogari janë bërë minimaliste, bazuar tek niveli pagës minimale në ekonomi).

Në fakt, buxheti shtetit i dedikon më pak se 20 milionë euro në vit tregut të punës, dhe prej saj gjysma e fondeve janë shpenzime administrative. Kjo do të thotë se vendet e punës pritet të krijohen kryesisht nga sektori privat dhe politikat qeveritare duhet të krijojnë nxitje për punësim dhe mbështetje të formimit të forcës së punës për aftësitë e kërkuara profesionale dhe teknike.

Në këtë kuptim, shpeshherë shifrat që propozohen për punësim janë të pambështetura me fonde dhe politika specifike. Ajo që programi PD ofron ndryshe është reduktimi kostove të punës përmes reduktimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kjo sigurisht që është pozitive dhe mund të zbatohet që në fillim.

Më tej rritja graduale e pagës minimale sigurisht që do të rris kostot e për pasojë, efektet pozitive mund të zhbëhen nëse nuk sigurohen menjëherë përfitimet e para shtesë nga punësimi në mënyrë që të përthithen kostot shtesë që krijohen mbi biznesin. Pra, renditja dhe prioritizimi i planit të masave të propozuara ka rëndësi të madhe për vënien në zbatim të tyre në një mënyrë që të japin efektet pozitive të pritshme.

 

Po bëhet debat i madh për taksimin, ku PD, ashtu si edhe LSI mbështesin taksimin e sheshtë 9%, ndërsa aktualisht kemi në fuqi një politikë të taksimit në tre fasha të ndryshme. Si e shihni ju këtë debat?

Debati mbi normat dhe sistemin e taksimit mendoj se duhet të hapet dhe është pozitive të diskutohen qëndrime alternative. Edhe pse personalisht mbështes një tatim disi më të ulët se ai që zbatohet aktualisht (15% mbi fitimet dhe 23% mbi pagat e larta), dhe sistemin e tatimit të sheshtë, gjetja e normës tatimore duhet të jetë një çështje kalkulimesh të të hyrave buxhetore dhe shpenzimeve publike, dhe jo thjesht një “garë për të kapur fundin” në konkurrencën rajonale, siç njihen në literaturë këto lloje politikash të reduktimeve tatimore në garën midis vendeve.

Tatimi i sheshtë, me një normë edhe më të lartë (të themi 13%), dhe me korrektimet e duhura për të mbrojtur popullatën me të ardhura të ulëta (zbatimi një pragu përjashtimor, të themi, 30 mijë lekë), mund të ishte një politikë edhe lehtësuese tatimore, dhe me një reduktim të barrës tatimore aktuale, por dhe nuk do të cenonte të ardhurat buxhetore.

Siç e thash më lart, kur të ardhurat buxhetore sot janë jo më shumë se 28% e PBB-së, aftësia e një qeverie për të kryer shpenzime publike është tepër e kufizuar, ndërkohë që nevojat janë shumë herë më të larta si për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, pensionet, etj.

Vendosja e kësaj norme tatimore mbi çdo lloji të ardhure, përfshirë fitimet kapitale, dividentët, etj., do të krijonte barazinë e kërkuar të politikave fiskale mbi të gjithë burimet e të ardhurave dhe jo diferencime preferenciale që realizon aktualisht sistemi ynë tatimor.

Si një burim për të shtuar të ardhurat dhe si një instrument politik korrektues për proceset jo të ndershme të krijimit të pasurisë që është vërejtur në këto vite tranzicioni, mendoj se duhet vendosur tatimi mbi trashëgiminë. Kjo është një taksë që duhet përkrahur nga të majtët dhe të djathtët, pasi krijon barazinë në oportunitete midis brezave dhe nuk ka ndikim të dukshëm negativ elektoral. Mendoj gjithashtu se qeveria aktuale ka kryer pandershmëri duke tatuar në mënyrë progresive rrogtarët dhe ka ulur ndjeshëm barrën tatimore për të pasurit, të cilët si të ardhura të tyre nuk deklarojnë paga, por dividentët.

 

Që prej prezantimit të programit, janë ngritur shumë pikëpyetje se si PD do të mund të sigurojë paratë që të përmbushë pikat e saj. A keni një koment për këtë?

Është normale të krijohet skeptizicëm, sa kohë që programi ka zbuluar deri tani vetëm “listën e dëshirave” dhe jo reformat, politikat, masat dhe instrumentet që do vihen në zbatim. Jam i sigurtë se në vazhdimësi programi politik do të paraqitet më i plotë, me detajet e veta dhe atëherë do të kemi mundësi të gjykojmë më drejt mbi pasiguritë që kemi sot.

Siç edhe e nënvizova, parësore mbetet ndryshimi metodave të qeverisjes, përfshirë qeverisjen ekonomike. Problemet madhore të ekonomisë politike të funksionimit të sistemit të sotëm kërkojnë reforma që duhet të prekin zemrën e vetë sistemit: si do të ndërtojmë një shoqëri më kohezive, që ndan me ndershmëri të ardhurën kombëtare të krijuar, si do përdoren paratë e qytetarëve dhe pasuritë publike në mënyrë transparente dhe eficiente, si do vendoset tek publiku integriteti sistemit demokratik që po bjerret përditë e më shumë. Këto janë sfidat e vërteta të shoqërisë dhe ato që mund të rikthejnë besimin se vendi do të ketë një të ardhme më të mirë.

16 pikat e programit ekonomik të PD:

1.Minimumi 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët,

2.Paga minimale 36 mijë lek të reja në muaj

3.Ulja e taksës mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh

4.Taksë 9% të fitimit mbi të gjitha bizneset me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja.

5.Ulja e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%

6.Totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme jo  më i lartë se 0.5% e xhiros 7.Anulimi i taksës prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin

8.Çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë më pak të vjetra për operatorët turistik

9.Rritja e pensioneve me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit

10.Ulja e çmimit e energjisë elektrike dhe çmimin e karburante,

11.Mbulimi shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj

12.Tekstet shkollore do të jenë falas për të gjithë ciklin parauniversitar

13.Çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për 5 vitet e para të jetës.

14.Qeveria do të paguaj 100% interesat bankare për çdo kredi që do të marrin çiftet e reja për të blerë një apartament apo një banesë. 15.20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë strehim përmes skemës së subvencionimit të interesave në mandatin e parë

16.100 milionë euro mbështetje direkte, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale  

S.Furriku/ Politiko.al

Të fundit