Flash News

Ditari i Opozitës

Kërcënime online dhe fizike gazetarëve, PD: Janë me prapavijë politike dhe vijnë nga Rama e Veliaj

Kërcënime online dhe fizike gazetarëve, PD: Janë me

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo ka dënuar sulmet ndaj gazetares Glidona Daci dhe çdo gazetari tjetër.

Garo tha se sulme të tilla kanë prapavijë politike dhe vijnë nga Rama ose Veliaj.

"Patronazhistë e partisë, fizikisht ose si trolle online, janë lëshuar kundër çdo zëri të pavarur që denoncon korrupsionin dhe jetën e luksit të qeveritarëve, arritur me vjedhje të taksave të shqiptarëve. 

Viktimë e sulmeve me maska interneti është bërë gazetarja Glidona Daci e Klan Neës, e cila ka marrë kërcënime në rrjetet sociale, me gjuhë denigruese, nga një profil me emrin Nesti Angoni. ‘Nesti i partisë’ që sulmon si të vetët, edhe kundërshtarët, në varësi të direktivave që merr, sulmon gazetaren e kronikës në punë të vet, vetëm pse raporton fakte që nuk u pëlqejnë të korruptuarve të oborrit të bashkisë dhe qeverisë.

Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin ndaj Glidona Dacit dhe çdo gazetari, në krye të detyrës apo në faqet e tyre private online, dhe sheh pas tyre fytyrën linçuese dhe të murrëtyer të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bashibozukëve të tyre me maska dhe emra fals.

Në vazhdën e intimidimeve kundër gazetarëve, një patronazhist i partisë, që kalon sa nga një prehër në tjetrin, edhe ai vegël qorre e Veliajt dhe Ramës, ka kërcënuar në një studio televizive gazetarin e njohur Enton Abilekaj.

Është e qartë se guximi i Angonatëve të Rilindjes dhe sharlatanëve të saj, linçues me pagesë, ka prapavijë politikë. Regjia është në selinë e qeverisë dhe në zyrat e bashkisë ku strehohet sektori i censurës dhe programi i dhunimit të fjalës së lirë", deklaron Garo.

Të fundit