Flash News

E-TJERA

Ishte pjesë e grabitjes marramendëse në Maltë, shqiptari refuzon të dëshmojë: Kam frikë për familjen

Ishte pjesë e grabitjes marramendëse në Maltë, shqiptari

Artan Coku ka refuzuar të dëshmojë kundër vëllezërve shqiptarë Daniel e Begtash Muka, që po gjykohen për një grabitje prej 333 mijë eurosh në Maltë.

30 vjeçari shqiptar u dënua me katër vjet burg muajin e kaluar pasi pranoi se kishte marrë pjesë në grabitjen e një dyqani bizhuterish në tetor të vitit 2017, por për dëshminë kundër vëllezërve përmendi se kishte frikë për sigurinë e familjes së tij.

Në rastin e grabitjes Coku kishte qenë përgjegjës për të informuar vëllezërit nëse dyqani “Tigne Point” ishte hapur. Pasi pranoi akuzat, ndihma që dha në polici ishte një faktor lehtësues në dënimin e tij. Ai i kishte thënë policisë se stolitë e vjedhura do të dërgoheshin në Bari të Italisë dhe përfundimisht do të shiteshin në Shqipëri.

Përveç dënimit me katër vite burg, Gjykata kishte urdhëruar edhe Cokun që të paguante një të tretën e shpenzimeve të gjykatës, në vlerë mbi 14,500 euro. Kostoja e riparimeve në dyqanin e synuar nga banda ishte mbi 65,000 euro.

Shqiptari ishte efektivisht një njeri i lirë pas dhënies së dënimit, për shkak të periudhës së gjatë që kishte kaluar në paraburgim, e cila e tejkaloi dënimin e tij. Por policia e kishte ndaluar të largohej nga Malta, duke e mbajtur në paraburgim për të dëshmuar kundër vëllezërve Muka.

Coku u akuzua para gjykatësit Victor Axiak të premten në mëngjes, duke u deklaruar fajtor për akuzën se nuk kishte dëshmuar kundër të dy bashkëpunëtorëve të tij të dyshuar.

Ndërkohë një prej dy vëllezërve, pikërisht Daniel Muka, akuzohet gjithashtu në një rast tjetër për vrasjen e Christian Pandolfino dhe partnerit të tij Ivor Maciejowski në shtëpinë e tyre në Sliema në gusht 2020.

 

Të fundit