Flash News

E-TJERA

"Jemi në situatë të rëndë psikologjike", gratë naftëtare: Kemi marrë telefonata kërcënuese për të lënë grevën

"Jemi në situatë të rëndë psikologjike",
Gratë naftëtare

Teksa kanë hyrë në ditën e 22-të të grevës së urisë, gratë naftëtare kanë deklaruar se ndodhen në një gjendje të rëndë jo vetëm shëndetësore por edhe psikologjike, teksa pohojnë se kanë marrë edhe telefonata kërcënuese për të lënë grevën.

Në një prononcim për mediat, gratë e Ballshit theksojnë se greva e tyre është ekonomike teksa po sakrifikojnë për bukën e gojës dhe pagat që u takojnë.

Më tej ato kanë falenderuar presidentin Meta për reagimin lidhur me situatën e tyre, ndërkohë që kanë bërë të qartë edhe njëherë se nuk do të tërhiqen nga greva.

Gratë naftëtare i kanë bërë thirrje kryeministrit Rama që të dalë "në shesh" e të diskutojë me to për të gjetur një zgjidhje.

 “Situata jonë është e rëndë dhe e vështirë nga ana psikologjike. Po vuajmë për bukën e gojës. Ne duam vetëm bukën e gojës të premtuar nga kryeministri Rama.

Faleminderit presidentit qe reagoi sepse kjo është grevë ekonomike jo politike. Nuk dorëzohemi dhe nuk dalim nga ambientet e qendrës shëndetësorë derisa te marrim lekët.

 “Apeli vazhdon ndaj qeverisë dhe ndaj kryeministrit Edi Rama. Kemi pasur mesazhe dhe thirrje me privat dhe këto janë partiake. Nuk kemi për borxhe të dëgjojmë ato telefonata kërcënuese për të lënë grevën.

Jemi të ngujuara ekonomikisht. Shpresa është që Rama të vijë këtu e të dialogojmë. Ja sheshi, ja mejdani. Ne brenda në greve ai jashtë në shesh. Ne duhet të jemi pranë familjeve tona jo këtu, ndaj duam një zgjidhje sa më parë. Deputeti i zonës mos të vij vetëm në Ballsh sa të hajë drekë. Të zbres deri tek gratë e të shikoj çfarë behët. Nga greva nuk dalim”, deklaruan gratë naftëtare.

Të fundit