Flash News

E-TJERA

"Kam mamanë sëmurë, më lindi motra dhe jam e operuar"/ Drejtoresha e shkarkuar nga Çuçi kërkon lirimin nga qelia: Nuk arratisem, më skadoi pasaporta

"Kam mamanë sëmurë, më lindi motra dhe jam e

Një prej të arrestuarve lidhur me abuzimin me tenderin 2.8 miliardë lekë të uniformave të Policisë së Shtetit, Edlira Naqellari, ish-drejtoreshë e agjencisë së blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme, ka kërkuar lirimin nga burgu dhe caktimin e një mase siguri më të lehtë.

Edlira Naqellari u shkarkua nga detyra nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi 8 ditë para arrestimit nga SPAK, duke mos dhënë asnjë arsye publike.

Ditën e djeshme nëpërmjet avokatit të saj, Naqellari iu ka kërkuar organeve të drejtësisë lirimin nga qelia me arsyetimin se ka mamanë e sëmurë dhe se motra e saj, e cila është kryetare e Gjykatës Lezhë, Ornela Naqellari, sapo ka lindur dhe ka nevojë për ndihmë. Gjithashtu, Naqellari pretendon se në paraburgim i rrezikohet shëndeti, pasi sapo i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe ka probleme me tëmthin dhe apandesitin.

Avokati i saj ka dëshmuar se Naqellari nuk rrezikon marrjen e provave, pasi është liruar nga detyra dhe se nuk rrezikon të largohet nga vendi pasi nuk ka pasaportë të vlefshme.

“Edlira Naqellari është liruar nga detyra dhe për këtë arsye nuk qëndron arsyetimi i gjykatës se rrezikohet marrja e provave. Nuk ka rrezik të largohet apo t’ju fshihet hetimeve, është juriste dhe nuk ka pasaportë të vlefshme për t’u larguar jashtë vendit. Ka mamanë e sëmurë me sëmundje të zemrës, diabet dhe me tension. Edlira Naqellari jeton me motrën që është kryetare gjykate, sapo ka lindur dhe ka nevojë për ndihmë. E hetuara sapo i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ka probleme me tëmthin, apandesitin, ndaj edhe qëndrimi i mëtejshëm në paraburgim do të rrezikonte shëndetin e saj” tha avokati në gjyq.

Gjithsesi, pretendimet e ish-zyrtares nuk janë marrë në konsideratë nga gjyqtarja e dosjes duke e lënë Edlira Naqellarin në burg. Ish–drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara Edlira Naqellari, në dëshminë e saj para togave të zeza këmbënguli se është e pafajshme ndërsa shtoi se ende nuk e ka të qartë se cilin ligj ka shkelur.

Më 10 Korrik, SPAK lëshoi 9 urdhër arreste për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, pasi akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. Ata dyshohet se kanë abuzuar me tenderin 2.8 miliardë lekë të uniformave të Policisë së Shtetit. Për 8 prej tyre, gjykata ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg", ndërsa për një tjetër "arrest shtëpie".

Aktualisht janë nën masën arrest me burg Edlira Naqellari, Flutura Cekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kreshnik Bejkaj, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali, ndërsa Anisa Bogdani në arrest shtëpie.

Të fundit