Flash News

E-TJERA

Kapet në Hungari bosi shqiptar i drogës, bashkë me djalin e tij

Kapet në Hungari bosi shqiptar i drogës, bashkë me djalin e tij

Policia hungareze arrestoi një shqiptar 60-vjeçar, pasi dyshohet se ai dhe djali i tij drejtonin një grup kriminal që kalonte drogë në Hungari. 

Sipas hetimeve, dyshohet se kreu i bandës ballkanike të drogës, N.A. (60) me djalin e tij drejtonte një organizatë kriminale në të cilën merrnin pjesë edhe shtetas hungarez.

Sipas policisë, të dyshuarit transportonin drogë nga Kosova dhe Shqipëria për në Hungari, ua dorëzuan tregtarëve hungarezë të cilët e shpërndanin në mbarë vendin dhe më pas një shtetas hungarez ia çoi paratë bossit të drogës N. A. që jetonte në Serbi. Kanabisi më së shumti kontrabandohej në Hungari dhe një ngarkesë përmbante 10 kilogramë të kësaj droge, sipas policisë.

Kreu i kësaj bande tashmë ishte dënuar në Hungari me shtatë vjet burg për krime të tjera dhe ishte dëbuar nga ai vend për tetë vjet. Pas dënimit verën e kaluar, ai u zhduk, autoritetet hungareze po e kërkonin dhe kundër tij u lëshua një urdhër ndërkombëtar.

Policia hungareze deklaron se edhe policia serbe ishte në kërkim të tij pasi dyshohet se është anëtar i një organizate kriminale që kontrabandonte heroinë, kokainë dhe kanabis në Bashkimin Evropian përmes Serbisë. Gjatë bashkëpunimit me policinë serbe, kolegët hungarezë mësuan se N. A. ndoshta ndodhet në Hungari.

Për shkak të dyshimit se ai posedon armë, njësia Antiterroriste e Policisë Hungareze është angazhuar dhe e ka arrestuar më 10 nëntor në Budapest.

Policia hungareze kontrolloi lokacionet e lidhura me të dyshuarin dhe konfiskoi pronën që dyshohet se ka lidhje me rastin.

 

Të fundit