Flash News

E-TJERA

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë letër urimi Presidentit, Bajram Begaj

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë letër urimi Presidentit,

Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodrës, Mons. Angelo Massafra, i ka përcjellë urimet e tij Presidentit të ri të zgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begajn.

Në letrën e urimit, kreu i Konferencës Ipeshkvnore kërkon që Begaj të jetë një shenjë bashkimi dhe uniteti për popullin shqiptar. Arqipeshkvi shpreh mbështetjen për Begajn në emër të Konferencës Ipeshkvnore.

Letra e plotë:

Presidentit të zgjedhur të Republikës së Shqipërisë

Z. Bajram BEGAJ

Shumë i Nderuar Zoti Begaj,

Në emrin tim, si Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë edhe në emër të ipeshkvijve të Kishës katolike, si dhe të të gjithë besimtarëve katolikë në Shqipëri, Ju uroj për zgjedhjen Tuaj në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Shprehim besimin dhe shpresën tonë se Ju do ta kryeni më së miri këtë shërbesë, që Ju është besuar nëpërmjet kësaj zgjedhjeje nga Parlamenti i Shqipërisë. Në këto momente të vështira për Europën dhe për botën, për shkak të Luftës ende të ndezur në Ukrainë edhe të Pandemisë që akoma nuk e kemi kaluar, po ashtu edhe të problemeve të tranzicionit të tejzgjatur të shoqërisë shqiptare, urojmë që me urtësinë dhe përkushtimin Tuaj, të jeni një element përbashkimi dhe shenjë e dukshme e unitetit të popullit tonë.

Fuqizimi i demokracisë ka në themelin e saj, si një ndër elementet përbërëse thelbësore, përkushtimin dhe qartësinë e secilit në detyrën dhe në misionin e tij. Ne Ju sigurojmë mbështetjen tonë me anë të lutjes drejtuar Hyjit dhe të bashkëpunimit për mbarëvajtjen e misionit Tuaj në shërbim të Atdheut dhe të demokracisë.

Në pritje që ta takohemi sa më parë, uroj çdo të mirë për Ju dhe familjen Tuaj.

Me nderime,

+ Mons. Angelo Massafra ofm

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër – Pult

 Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

 

Të fundit