Flash News

E-TJERA

Lejuan shkatërrimin e pariparueshëm të dy pasurive kulturore në Shkodër, KLSH padit Ministrinë e Kulturës dhe tre drejtori në varësi

Lejuan shkatërrimin e pariparueshëm të dy pasurive kulturore

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon pranë prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër, Ministrinë e Kulturës dhe tre institucione në varësi për shkeljet e kryera për rikonstruksionin e dy pasurive kulturore “Kafja e madhe” dhe objektit brenda kufirit të qendrës historike në Shkodër.

 Nga auditi i kryer ka rezultuar se nga ministria dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) janë konstatuar shkelje të procesit të zbatimit të punimeve për realizimin e projektit të restaurimit për këto objekte, duke sjellë pasojën e parikuperueshme.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar gjatë vitit 2022 auditimin e performancës me temë “Mbrojtja dhe administrimi i Monumenteve të Kulturës”.

Subjekt i këtij auditimi ishte Ministria e Kulturës dhe disa prej institucioneve të saj të varësisë si: Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK).

Nga auditimi i kryer në subjektet e sipërcituara, janë konstatuar shkelje lidhur me procedurën e miratimit dhe zbatimit të projektit “Rikonstruksioni i fasadës dhe Çatisë së objektit brenda Qendrës Historike Shkodër”, duke sjellë pasojën e rëndë të tjetërsimit të karakteristikave të objektit, pjesë e ansamblit historik rruga “Gjuhadol”, deklaruar si pasuri kulturore me VKM nr.771, datë 30.09.2020 “Për deklarimin pasuri kulturore të Qendrës Historike të Qytetit të Shkodrës, Përcaktimin e Zonës Mbrojtëse  të saj dhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre”. 

Auditimi i KLSH-së, ka evidentuar gjithashtu shkelje gjatë procesit të zbatimit të punimeve për realizimin e projektit të restaurimit të objektit “Kafe e Madhe”, të cilat kanë sjellë pasojën e parikuperueshme të shembjes së objektit monument kulture i kategorisë I. 

Për sa më sipër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër kallëzimin penal për veprën penale “Shkatërrim i veprave kulturore”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e KLSH.

 

Të fundit