Flash News

E-TJERA

Llalla kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë, caktohet data e seancës

Llalla kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë, caktohet data

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka kërkuar nga Gjykata e Lartë që ta pezullojë vendimin për dënimin e tij. Seanca është vendosur të mbahet në 22 prill dhe relatori i çështjes do të jetë Ilir Panda.

Në kërkesën e tij thuhet se qëndrimi në burg mund t’i sillte pasoja për shëndetin, për shkak të një sëmundje nga e cila vuan prej kohësh.

Llalla u dënua me dy vite burg për akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë. Gjithashtu, Llalla u përjashtua për 5 vite nga postet publike.

Kjo masë dënimi u kërkua edhe nga SPAK, ndërsa pasuritë e ish-zyrtarit të lartë do t'i kalojnë shtetit.

Hetimet ndaj tij filluan në mars të vitit 2018 për katër vepra penale, fshehje pasurie, mosdeklarim i të ardhurave në kufi, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, por në fund tre akuza u rrëzuan dhe mbeti në fuqi vetëm ajo për fshehje pasurie.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Ai u zëvendësua nga ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

 

 

Të fundit