Flash News

E-TJERA

Manastirliu: Të hënën nis java e vaksinimit të hapur për çdo qytetar +18 vjeç

Manastirliu: Të hënën nis java e vaksinimit të hapur

Të hënën do të nisë java e vaksinimit të hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa ka ndjekur sot nga afër procesin e vaksinimit tek stadiumi "Air Albania".

Nga e hëna, të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të paraqiten me kartën e identitetit në pikën më të afërt të vaksinimit për të kryer vaksinën anticovid.

“Pas mbërritjes së 340,000 dozave të vaksinave, kemi vendosur të kthejmë sërish ditët e hapura të vaksinimit, sipas planit të vaksinimit dhe rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit publik. Do të jenë datat, nga dita e hënë e javës që hyjmë, deri në datë 25 korrik. Do të jetë java e parë e hapur e vaksinimit për të gjithë qytetarët +18 vjeç, në të gjitha qendrat shëndetësore, në pikat e vaksinimit masiv, duke shkuar edhe derë më derë. Do të jemi në komunitet për të realizuar këtë vaksinim të popullatës +18 vjeç në këtë javë të vaksinimit”, tha Manastirliu, ndërsa ka ftuar qytetarët +18 vjeç të vaksinohen përgjatë këtyre ditëve.

Manastirliu gjithashtu bëri me dije se të hënën do të mbërrijnë në vend dhe 32 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer.

“Aktualisht në Shqipëri janë më shumë se 1 milion e 500 mijë doza vaksine të mbërritura. Ndërkohë që të hënën ne presim dhe rreth 32 mijë doza të vaksinës Pfizer, për të vijuar me planin e vaksinimit dhe për ta zgjeruar akoma më tej”, tha ministrja.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha se ka një alert të shtuar për variantin Delta dhe bën apel për qytetarët, për t’u vaksinuar sa më parë, pasi vaksinat mbrojnë deri në 100% nga fatalitetet si pasojë e Covid19.

“Prej tashmë 2-3 javësh ne kemi folur për sinjale të pazakonta. Kemi marrë mostra, i kemi në Laboratorin e Referencës dhe vijojmë me monitorimin. E rëndësishme është të kuptojmë që pavarësisht shtrimeve spitalore shumë sporadike dhe fatmirësisht humbjeve të munguara të jetës, ne shikojmë që ka rritje të vogla të infeksioneve. Ndaj nuk duhet të harrohen masat dhe apeli ynë dhe apeli ndërkombëtar është vaksinim, vaksinim, vaksinim”, tha prof. Albana Fico.

Në vendin tonë kanë mbërritur deri tani 1,578,790 doza vaksine ndaj COVID19. Janë kryer në total 1,052,108 doza, prej tyre 455,131 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

Të fundit