Flash News

E-TJERA

“Martesa përmes telefonit”: Gratë e Hasit jetojnë mes pritjes dhe vetmisë, burrat në Britani

“Martesa përmes telefonit”: Gratë e Hasit jetojnë mes

Besmira, një grua e re nga Hasi, kalon çdo ditë duke parë telefonin e saj të dëmtuar, në pritje të një telefonate nga bashkëshorti Arbeni, i cili prej katër vitesh ndodhet në Angli.

Arbeni emigroi ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2021, duke paguar 5 mijë paund për të kaluar Kanalin e La Manshit me gomone, shkruan "Daily Mail".

Sot ai punon 12 orë në ditë në një kantier ndërtimi në Mançester për të mbajtur familjen, ndërsa Besmira jeton me prindërit e tij dhe përballet me vetmi dhe depresion.

“E dua burrin tim, duam të kemi një fëmijë. Por si mund të ndërtojmë një familje përmes telefonatave që zgjasin prej katër vitesh?”, thotë ajo, duke kërkuar të mbetet anonime për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Fenomeni i emigrimit drejt Britanisë ka ndryshuar strukturën sociale në Has, një komunë me vetëm 5 mijë banorë. Sipas raportimeve ndërkombëtare, tetë nga dhjetë familje mbijetojnë nga të ardhurat e burrave që kanë emigruar ilegalisht.

Në vitin 2022, mbi 13 mijë shqiptarë hynë në mënyrë të paligjshme në Britani, dhe një përqindje e madhe vinte pikërisht nga kjo zonë.

Vajzat e reja qëndrojnë në kafe duke pritur “të fejuarit” nga Anglia, ndërsa shumë djem largohen sapo mbarojnë shkollën.

“Zinxhiri normal i jetës – njohje, fejesë, martesë, fëmijë – është thyer. Djemtë janë në Angli, vajzat mbesin këtu të vetmuara,” thotë Jahir Cahani, aktivist lokal.

Pasojat janë të dukshme: fëmijë që rriten pa baballarë, gra që mbajnë barrën e dyfishtë dhe një komunitet që humbet ekuilibrin.

“Nuk është kjo jeta që kemi dashur,” thotë Besmira. “Paratë nuk janë gjithçka.”

Të fundit