Flash News

E-TJERA

Meta dekreton marrëveshjen për blerjen e vaksinës anti-COVID, apel qeverisë

Meta dekreton marrëveshjen për blerjen e vaksinës anti-COVID,
Foto Ilustruese/ Presidenti Meta

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar marrëveshjen për blerjen e vaksinës anti-COVID.

Përmes një njoftimi, Presidenca e ka cilësuar marrëveshjen me "Covax Facility" si një hap me rëndësi për marrjen e masave kundër pandemisë. 

Ndërkaq, Meta iu ka bërë thirrje qeverisë të bëjë çdo përpjekje për të siguruar buxhetin e nevojshëm për mbulimin e nevojave të të gjithë popullatës për vaksinim.

"Presidenti Ilir Meta, ka shpallur me Dekret, ligjin nr. 134/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (Covax Facility)”.

Kjo marrëveshje edhe pse është një hap me rëndësi në masat që ndërmerr shteti shqiptar në luftën kundër pandemisë COVID-19, mundëson mbulimin e gjetjes së vaksinës vetëm për 20% të popullsisë, apo edhe më shumë, në varësi të financimit që vihet në dispozicion nga shteti shqiptar.

Është e domosdoshme, që çdo hap që hidhet nga Qeveria shqiptare, të jetë i  mirëstudiuar, në koordinim të plotë me strukturat dhe partnerët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e të Bashkimit Europian, me qëllim për të siguruar vaksinimin në atë masë që vendi ka nevojë për përballimin e kësaj pandemie.

Për këtë arsye, Qeveria duhet të bëjë çdo përpjekje, për të garantuar mbulimin me buxhetim të plotë të çdo nevoje dhe kërkese të popullatës për vaksinim", shkruhet në njoftimin e Presidencës.

Të fundit