Flash News

E-TJERA

Meta jep "dritën jeshile" për Eurobondin, por ka disa rezerva

Meta jep "dritën jeshile" për Eurobondin, por ka disa

Presidenti Ilir Meta ka miratuar kërkesën e Kuvendit për hyrjen në fuqi menjëherë të projektligjit “Për Eurobondin, që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Projektligji që i hap rrugën marrjes së eurobondit 500-700 milionë euro në fillim të muajit nëntor u miratua dy ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë dhe tashmë do të kalojë në Kuvend. Ky borxh do të shlyhet nga 7 deri në 10 vite dhe do të përdoret për disa sektorë.

Pavarësisht se i ka dhënë "dritën jeshile", Meta ka disa rezera ndaj këtij projektligji. Meta i kërkon Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që të paraqesin një raport para deputetëve në Kuvend ku ta sqarojnë çështjet e mëposhëme:

- Arsyet përse vijohet të ndiqet praktika e administrimit të financave të vendit me vendimmarrje të kësaj natyre, urgjente;

- Sqarimet përkatëse ndaj rritjes së huamarrjes së huaj, që duhet të trajtohet me kujdes ndaj rrezikut të kursit të këmbimit (shqetësim ky që është ngritur edhe nga FMN në raportin e tij të fundit);

- Të raportohet lidhur me performancën e borxhit publik; 

-Të raportohet në terma krahasimorë skenari në rastin e një huamarrje në tregun e brendshëm, në raport me përdorimin e instrumentit të eurobondit;

-Analizë të plotë të kostos dhe përfitimit të marrjes hua në tregun e brendshëm (në lekë/në euro), apo në tregun e huaj, ose një kombinim i tyre;

-Një listim të saktë të projekteve që synohet të mbulohen me këtë shumë për të cilën po tentohet të dilet në Eurobond;

-Të evidentohet në mënyrë shumë më të qartë dhe transparente qëllimi i huamarrjes dhe mënyra e përdorimit të këtij fondi në vlera kaq të larta, veçanërisht nëse huamarrja synohet të përdoret për të financuar deficitin dhe borxhin e marrë, si dhe për t`u mbajtur rezervë në Thesar për mbështetje të ardhshme buxhetore, dhe jo për t`u injektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për ekonominë, siç përmendet jo qartë në relacionin shpjegues;

- Të sqarohet nëse huamarrja përmes këtij eurobondi, synon të shlyejë dhe huamarrjet e eurobondeve të mëparshme;

- Vendosjen në dispozicion të të gjithë deputetëve të Kuvendit, të gjithë praktikës dokumentare të kësaj iniciative;

- Të mbahen në vëmendje rekomandimet e Bankës së Shqipërisë, e cila gjykon se emetimi i këtij Eurobondi nuk cenon politikën monetare në afatin e shkurtër, megjithatë duhet patur kujdes në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Të fundit