Flash News

E-TJERA

Nga deklaratat para zgjedhjeve te pretendimet se shkarkimi është i jashtëligjshëm, Meta zbardh përgjigjet për 72 pyetjet e Gjykatës Kushtetuese

Nga deklaratat para zgjedhjeve te pretendimet se shkarkimi është i

Presidenti Ilir Meta ka publikuar 72 përgjigjet e pyetjeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese. Përgjigjet kanë dalë në faqen zyrtare të presidencës.

Meta kishte paralajmëruar se përgjigjet do t’i jepte para të gjithë shqiptarëve. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë vendimin për të shkarkuar ose jo presidentin Meta.

Vendimi i asryetuar do të shpallet brenda 30 ditëve. Ndërkohë që Kuvendi kërkon shkarkimin e tij, Meta shprehet i bindur se do ta ushtrojë detyrën deri në përfundim të mandatit.

I pyetur nga relator i çështjes Përparim Kalo mbi rezervat për vërtetësinë e provave të Kuvendit, që janë deklarata në TV dhe postime në rrjetet sociale të Kreut të Shtetit, Meta thotë se ato janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe se janë të pavlefshme.

Sa i përket shpjegimeve të kërkuara mbi pretendimin se pas përfundimit të mandatit të legjislaturës që e shkarkoi dhe moskonfirmimit formalisht nga Kuvendi i ri, Meta thotë se Parlamenti aktual nuk mund të përfaqësojë vullnetin e atij të vjetër.

Gjithashtu shton se kryetarja e Kuvendit nuk ka asnjë tagër që të zëvendësojë, të përfaqësojë, apo të konfirmojë vullnetin e trupës së deputetëve që mori vendimin për shkarkimin e tij.

Meta është pyetur dhe për mungesën e tij në seancat hetimore dhe nëse e ka ndryshuar ndonjëherë axhendën e takimeve, kur e kanë kërkuar rrethanat. Presidenti sqaron se nuk ka refuzuar takimin, madje ka kërkuar të dëgjohet nga Komisioni për çështjet ligjore, ndërsa thekson se për një çështje kaq të rëndësishme iu kërkua të paraqitej në më pak se 20 orë.

Presidentit i kërkohet të sqarojë se përse mendon që ngritja e komisionit hetimor nuk përputhet me funksionin dhe qëllimet e kontrollit parlamentar dhe ai përgjigjet se kjo strukturë shkel procedurat në funksion të urdhërimit politik dhe Kushtetutën.

I pyetur për qëndrimin e tij e tij gjatë fushatës zgjedhore të 2021-shit, Meta thekson se veprimtaria  e tij ka qenë një dëshmi e qartë dhe publike e qëndrimit mbi palët. Ai nënvizon se ka sensibilizuar institucionet shtetërore dhe forcat politike për realizimin e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, të barabartë dhe pa presione, duke shtuar se kurrë nuk ka mbështetur asnjë subjekt politik garues.

Kreut të Shtetit i është kërkuar të tregojë qëllimin e shprehjeve si  “ditën e votimeve t'i mprehin sfurqet”, “Lidheni të Marrin”, “regjimit të dhunës edhe tri ditë dhe i vjen fundi përgjithmonë”, “Presidenti, gati për të firmosur dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve!”, “një pikë gjaku të derdhet nesër, por edhe një pikë loti, mjerë ju!”, “ndëshkoni pa mëshirë më 25 prill këdo që ju bën presion me votën, këdo që tenton t'ju blejë votën, këdo që ju ka mashtruar”, “Një votë po u prek, do pritet një dorë”, apo “të fus në burg”.

Në përgjigjen e tij, Meta thotë se kjo pyetje mund të jetë e influencuar nga pasojat e “propagandës toksike” të partisë në pushtet, duke theksuar se metaforat, epitetet dhe figurat e tjera letrare, do të ishin objekt interesant debati për gjuhëtarët dhe filologët, por jo për Gjykatën Kushtetuese.

Përgjigjet e pyetjeve të plota

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit