Flash News

E-TJERA

Ministrja e Jashtme gjermane: Përgjegjësi e jona çelja e negociatave për Shqipërinë dhe RMV, brenda vitit

Ministrja e Jashtme gjermane: Përgjegjësi e jona çelja e

Në një deklaratë për mediat gjermane pas mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të hënën, ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock deklaroi se negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të hapen në gjysmën e parë të këtij viti.

Baerbock shtoi se Serbia nëse dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, duhet të përafrohet me sanksionet ndaj Rusisë.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos zhgënjejmë jo vetëm Ukrainën, por edhe vendet që kanë parë prej kohësh të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian dhe të mbajmë premtimin tonë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë vendet e Ballkanit Perëndimor, para së gjithash, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Është përgjegjësia jonë që përfundimisht të hapim negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në gjysmën e parë të këtij viti. Ky është një hap i vonuar”, tha Baerbock.

Ministrja e Jashtme gjermane tha se kishte zhvilluar një bisedë dypalëshe me ministrin e Jashtëm bullgar, i cili ka dhënë shpresë se ngërçet mes RMV-së dhe Bullgarisë, mund të gjejnë zgjidhje.

“Kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që në këto ditë dhe javë e kanë bërë të qartë se të ardhmen dhe sigurinë e tyre e shohin në Bashkimin Evropian. Prandaj, shumica e tyre janë rreshtuar me sanksionet e BE-së”, shtoi Baerbock.

Ministrja gjermane nënvizoi edhe kërkesën e Serbisë për t’u bërë pjesë e BE, duke theksuar se Beogradi duhet të mbajë të njëjtin qëndrim si Perëndimi kur vjen puna te sanksionet ndaj Rusisë.

“Nëse doni të bëheni anëtare e BE-së, dhe kjo është ajo që dëshiron Serbia, është një çështje qendrore të mbështesim politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet përkatëse në ato momente”, përfundoi Baerbock.

Të fundit