Flash News

E-TJERA

Mjekët e “Traumës” në protestë: Mos na trajtoni si kriminelë, problem është sistemi, jo individi

Mjekët e “Traumës” në protestë: Mos na trajtoni

Mjekët e Spitalit të Traumës kanë dalë mëngjesin e kësaj të enjteje në protestë për arrestimin e dy kolegëve të tyre Ervin Sulaj dhe Serdi Memimi, të cilët akuzohen për korrupsion pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet për operacionin e 17-vjeçarit Elmidin Dylit, që u plagos në masakrën e Velipojës.

Dyshohet se Fatbardh Dylit, i ati i 17-vjeçarit të plagosur, iu ka dhënë si ryshfet dy mjekëve shumën prej 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro, për operimin e të birit.

Në protestën e sotme, Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor kërkuan që mjekët që mjekët të mos trajtohen si kriminelë. Teksa u distancua nga çdo lloj veprimi abuziv dhe korruptiv, Sindikata u shpreh se nuk e sheh oportune ndalimin e një mjeku i cili nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore. Sipas tyre, mjekët, nuk kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore, nuk kanë asnjë mundësi të ndikojnë apo manipulojnë provat dhe nuk kanë asnjë interes të largohen dhe t'i fshihen drejtësise.

Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, lidhur me ndalimin e dy mjekëve tha se arrestimet pa asnjë provë të drejtpërdrejtë jane abuzive në kundërshtim me ligjin dhe shkelje e hapur dhe cënim i integritetit personal dhe profesional të punonjësve shëndetësor. Ajo i bëri thirrje organive hetimore dhe gjyqësore ndalimin e menjëhershëm të këtyre abuzimeve.

Ndërsa një tjetër mjek, u shpreh se problem në Shqipëri nuk është individ, por sistemi duke kujtuar edhe një deklaratë të kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se duhet autonomi spitalore.

“Mjek prej 30 vitesh. Nuk dua t’i heq asgjë prononcimit të kolegut. Kryeministri para disa vitesh ka thënë se problem në Shqipëri për korrupsioni është sistemi dhe jo individi. Ai ka thënë se edhe nëse sjellim një gjerman këtu ai do të arrestohet. U arrestuan ata, a u zgjidh problemi?! A vazhdon të jepet sot sërish bakshish?! Sigurisht që po. Kryeministri ka premtuar autonomi spitalore. Ne presim. Duhet autonimi spitalore. Kanë dhënë njerëzit bakshish dhe vazhdojnë të japin. Problem është sistemi” tha mjeku.

Deklarata e Sindikatës:

Sindikata e Punonjësve te Sherbimit Shëndetësor përcjell me shqetësim situatat e krijuara nga paragjykimi që i bëhet kolegëve mjekë duke hedhur baltë mbi punën vetmohuese dhe të pavlerësuar për dhenien e shendetit dhe uljen e heqjen e vuajtjeve të pacientëve me të cilët ata punojnë.

Kjo Sindikate distancobet nga çdo lloj veprimi abuziv dhe korruptiv qe mund të kryhet në emer të dhënies së shërbimit shëndetësor nga bluzat e bardha, por nuk mund të lejoj që këto bluza të bardha të cilat shpëtojnë jetën e njerëzve pa bërë dallimin nëse janë të bardhë apo të zinj, të kuq apo blu, të trajtohen njësoj si kriminelët të cilet marrin këtë jetë të çmuar për secilin nga ne.

Sindikata nuk e sheh oportune ndalimin e një mjeku i cili nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, bazuar kjo në nenin 228- 229 të kodit penal dhe madje e konsideron të shpejtuar veprimin e prokurorisë për masën e sigurisë “Arrest me burg” për diskutime të të tretëve nëpër telefona të cilët përmendin emra të ndryshëm pa asnjë provë tjetër dhe kur mundësia për t’ju shmangur hetimit, ndikuar në të apo për tu larguar është inekzistente.

Ligji parashikon se ndalimi bëhet kur pretendohet se vepra penale është në kryerje e sipër dhe më pas arresti me burg kërkohet dhe vendoset nga gjykata kur individi apo punonjësi i arrestuar ka rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka mundësi të manipulojë provat apo rrezikon t'i largohet hetimit apo drejtësisë.

Mjekët dhe punonjësit shëndetësor nuk janë të asnjërës prej këtyre kategorive pasi ata nuk kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore, nuk kanë asnjë mundësi të ndikojnë apo manipulojnë provat dhe nuk kanë asnjë interes të largohen dhe t'i fshihen drejtësise pasi në atë rast do të humbnin gjithçka kishin arritur në punë dhe profesion.

Për të gjitha arsyet e mësiperme ndalimet apo arresitmet e kryera te mjekeve me show publik dhe mediatik pa asnjë provë të drejtpërdrejtë jane abuzive ne kundershtim me ligjin dhe shkelje e hapur dhe cënim i integritetit personal dhe profesional te punonjesve shendetesor.

Sindikata jonë si përfaqesuese legjitime e tyre kërkon nga organet policore, hetimore dhe gjyqësore ndalimin e menjëhershëm të këtyre abuzimeve dhe njëkohesisht garanton të gjithë punonjësit shëndetësor se do t'i ndjekë deri në fund dhe me ç'do mënyrë çdo rast abuzimi të kësaj natyre.

Të fundit